Armando Sadiku u shpreh shumë i emocionuar pas golit të parë të shënuar me Luganon në Zvicër. Sulmuesi i kombëtares kthehet te goli pas 8 muajsh dëmtimi.
Gati 7 muaj pritje për këtë çast. Armando Sadiku u kthye te goli, për herë të parë që nga dëmtimi i rëndë pësuar në Spanjë në Gusht 2018. Sulmuesi i kombëtares shqiptare hapi serinë e golave për Luganon, në fitoren e thellë 3-0 në Superligën e Zvicrës, në fushën e Lucernës, duke mos mundur t’i mbante lotët më pas.
“Ishte një emocion i madh, – tha ai pas ndeshjes, – ishte një gol shumë i rëndësishëm për mua. Thjesht jam i lumtur, dhe mund të gëzoj pas një periudhe shumë të vështirë për mua dhe për familjen time”.
Mediat zvicerane po ashtu theksuan rikthimin e shënuesit të madh shqiptar. Sadiku u dëmtua me Levanten, dhe u desh të riaftësohej duke humbur sërish një numër të madh ndeshjesh, siç i kishte ndodhur edhe në të kaluarën.
Vlen të theksohet se goli i shënuar në fushën e Lucernës, ishte thuajse identik me atë që ai realizoi në Euro 2016, në fitoren e parë dhe të vetme të Shqipërisë në finalet e një Europianit. Tifozët shqiptarë kanë shpresë që sulmuesi kryesor të jetë gati për kombëtaren, për nisjen e eleminatoreve të Europianit të radhës, në Mars ndaj Turqisë./abcnews.al