Euro 2020 po afron dhe Italia do të luajë ndeshjen hapëse ndaj Turqisë më 11 qershor. Zvicra dhe Uellsi janë dy rivalët e tjerë të grupit A. Roberto Mancini ka formuar një ekip plot me lojtarë të rinj, të cilët luajnë një futboll modern dhe të bukur.
Ndryshe nga vitet e kaluara dhe zakoni i përjetshëm për të zhvilluar një futboll mbrojtës plot llogari e matematikë, Italia e sotme i zbavit të gjithë me lojën që afron. Trajneri i katër herë kampionëve të botës, Roberto Mancini ka prekur disa tema në prononcimin e fundit.
“Federico Chiesas do i jepja çmimin e lojtarit që është përmirësuar më shumë se të gjithë në këtë sezon në Seria A. Ai e mori Juventusin përdore për muaj me radhë. Zaniolo? Ai e di që do e pres deri në momentin e fundit.
Kemi bërë një pakt së bashku, por duhet të jetë në formë shumë të mirë për t’u kthyer në kombëtare“, deklaron Mancini, i cili zbulon edhe lojtarin që e intrigon më së shumti. “Po ndjek me vëmendje të veçantë Gianluca Scamacca“.
Më pas një koment për italianët e PSG-së. Marco Verratti ka pësuar një dëmtim dhe do të luftojë me kohën për t’u rikuperuar përpara nisjes së kompeticionit të rëndësishëm të kombëtareve. “Uroj ta kemi gati për Euro 2020.
Verratti është një shtyllë e rëndësishme e PSG-së, teksa Florenzi është përshtatur shpejt tek ekipi francez, e ka lënë shenjën e vet aty. Moise Kean? I ka bërë shumë mirë fakti që luan me lojtarë si Neymar, Mbappe dhe Di Maria”.
Në fund një koment për rivalët në Euro 2020. “Gabojmë nëse e nënvlerësojmë Turqinë. Favoritët për titull? Shoh Francën favorite, më pas rendis Anglinë dhe Belgjikën“, përfundoi trajneri i Italisë. /abcnews.al