Ryanair, linja ajrore e vetme me tarifa të ulëta në Shqipëri, këtë të mërkurë çeli zyrtarisht bazën me 4 avionë, një investim prej 400 milionë dollarë. Në sezonin veror 2026 Ryanair do të operojë 44 destinacione dhe do të realizojë një rritje rekord të trafikut me 50%, duke arritur në 4 milionë pasagjerë në Tiranë. Ky zhvillim është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave mbështetëse të Qeverisë Shqiptare dhe të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, të cilat e inkurajuan Ryanair të hapë 21 linja të reja këtë verë. Hapja e bazës krijon mbi 3,000 vende pune, përfshirë 120 vende të reja me paga të larta për pilotë, inxhinierë dhe staf kabine, të gjithë të bazuar në Tiranë. Në sezonin veror 2026, Ryanair do të ofrojë: 4 avionë, 44 linja aktuale, si dhe 21 të reja, përfshirë Dublin, Malta, Milano & Napoli, etj.
Aviacioni në Shqipëri ka shënuar rritjen më të shpejtë në Evropë pas Covidit, me rezultate të jashtëzakonshme të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Gjatë 5 viteve të ardhshme, Ryanair do të vazhdojë këtë investim, duke zgjeruar bazën deri në 6 avionë B737 (investim 600 milionë USD) në Tiranë, me synimin për të arritur 6 milionë pasagjerë në vit dhe 60 destinacione, bazuar në politikat stimuluese të Qeverisë Shqiptare dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, të cilat nxisin rritjen e trafikut ajror dhe turizmit në vend.
Për çeljen e bazës me 4 avionë në Tiranë dhe 21 linjat e reja për verën 2026, Ryanair ka lançuar një ofertë 3-ditore biletash me çmime që nisin nga vetëm 21.99€, të disponueshme për rezervim tani përmes aplikacionit Ryanair.
“Si kompania e vetme ajrore me tarifa të ulëta në Shqipëri, Ryanair feston hapjen e bazës së saj me 4 avionë në Tiranë, duke sjellë një rritje rekord të trafikut prej mbi 50% në 4 milionë pasagjerë në vitin 2026. E mundësuar nga politika pro-rritje e aviacionit në Shqipëri dhe kostot e ulëta të Aeroportit të Tiranës, kjo rritje rekord në 2026 do të ofrojë 44 linja dhe 4 milionë pasagjerë.
Shqipëria është tregu i aviacionit me rritjen më të shpejtë në Evropë dhe Ryanair do të vazhdojë të investojë në Shqipëri, duke rritur trafikun në mbi 6 milionë pasagjerë dhe duke bazuar deri në 6 avionë (investim 600 milionë USD) deri në vitin 2030, me kusht që Qeveria Shqiptare të vazhdojë politikën aktuale pro-rritje dhe me taksa zero për aviacionin dhe Aeroporti i Tiranës të ruajë stimujt e tij për rritje”, tha Drejtori Ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary.
Ndërsa, Shefi i Operacioneve të Aeroportit të Tiranës, z. Piervittorio Farabbi, premtoi vijim të investimeve.
”Që nga fillimi i operimeve në tetor 2023, Ryanair na ka sfiduar vazhdimisht të rrisim standardet dhe të ofrojmë ekselencë të vërtetë operacionale. Së bashku me stafin e TIA-s, të cilët i janë përgjigjur kësaj sfide, zgjeruam kapacitetet në terminal dhe pistë në kohë rekord. Falë investimit prej 120 milionë eurosh të Grupit Kastrati, janë përmirësuar ndjeshëm infrastrukturat kryesore të aeroportit në zonën ajrore dhe tokësore. Gjithashtu, kemi përshtatur praktikat tona më të mira operacionale sipas nevojave të një linje ajrore moderne, duke u fokusuar në shkurtimin e kohës së përpunimit të avionëve dhe cilësisë së shërbimit.
Hapja e kësaj baze nuk është vetëm një moment i rëndësishëm për bashkëpunimin tonë, por edhe një reflektim i progresit që ka bërë TIA.
Jemi krenarë të mbështesim rritjen e Ryanair në Shqipëri, duke kontribuar së bashku në shtimin e sa më shumë destinacioneve direkte, të cilat krijojnë mundësi të reja për turizmin dhe hapjen e vendeve të punës. Presim me padurim të zhvillojmë më tej këtë partneritet dhe të vazhdojmë të rritemi së bashku në vitet në vijim”, shtoi ai.
RyanAir, bazë në Tiranë me 4 avionë/ Investime 400 milionë dollarë, rritje rekord në Shqipëri
schedule18:26 - 1 Prill, 2026
schedule 18:26 - 1 Prill, 2026
