“Russiagate”, raporti i Mueller mbi 300 faqe

schedule08:55 - 29 Mars, 2019

schedule 08:55 - 29 Mars, 2019

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar publikimin e plotë të raportit të Robert Myler mbi ndërhyrjen ruse, duke deklaruar se një dokument me mbi 300 faqe nuk mund të përmblidhet në 65 fjalët e cituara nga prokurori i përgjithshëm.

Raporti i prokurorit të posaçëm, Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, është më shumë se 300 faqe. Kështu deklaruan të enjten zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe nisur nga kjo ligjvënësit demokratë përsëritën kërkesën që prokurori i përgjithshëm Uilliam Berr të publikojë dokumentin e plotë dhe jo vetëm përmbledhjen prej 4 faqesh të publikuar fundjavën e kaluar. “Na trego raportin. Nuk kemi nevojë që ta interpretosh ti për ne.

Duhet të shohim vetë se cilat janë faktet”, deklaroi kryetarja e grupit parlamentar demokrat Nensi Pelozi. Në raportin e tij për Kongresin, kryeprokurori Berr citoi vetëm 65 fjalë nga dosja e zotit Myler dhe deklaroi se ky i fundit kishte arritur në përfundimin se presidenti Trump dhe stafi i tij elektoral nuk kishin bashkëpunuar me Rusinë. Por raporti nuk kishte një përfundim nëse zoti Trump, si kryetar shteti kishte penguar drejtësinë, duke u përpjekur që të frenonte hetimin.

“Megjithëse raporti nuk arrin në përfundimin se presidenti ka kryer krim, ai nga ana tjetër nuk e nxjerr atë të pafajshëm”, citoi prokurori i përgjithshëm raportin e zotit Mueller. Demokratët kanë kërkuar që ai t’ia dorëzojë raportin Kongresit deri të martën e ardhshme, por zoti Barr i tha kryetarit demokrat të Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Xherrold Nedllër, se raporti do të dorëzohet brenda “javësh e jo muajsh”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!