Rusia: Shpresojmë që Serbia të mos na vendosë sanksione, ky nuk do të ishte një hap miqësor

schedule08:57 - 13 Maj, 2022

schedule 08:57 - 13 Maj, 2022

Ambasadori rus në Beograd Aleksandër Boçan-Kharçenko deklaroi se Moska shpreson se Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Nëse kjo ndodh Moska nuk do ta cilësojë këtë vendim  të Beogradit si një hap miqësor.

“Shpresa se Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për sanksionet është mjaft e fortë, bazuar në deklarata të nivelit të lartë, por gjithashtu dhe një analize të shkaqeve dhe arsyeve pse Serbia nuk i bashkohet sanksioneve. Këto arsye janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e Serbisë dhe shumica e popullsisë atje mendon se sanksionet kundër Rusisë nuk duhet të mbështeten”, tha ambasadori për Radio Televizionin e Vojvodinës.

Ai nuk ka dashur t’i përgjigjet pyetjes se çfarë pasojash do të kishte vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke thënë vetëm se “sanksionet nuk janë një hap miqësor, veçanërisht sanksionet e këtyre përmasave”.

Bocan-Kharchenko tha se “nuk ka ndryshime në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë” dhe theksoi se Moska nuk ka anuluar asnjë projekt me rëndësi strategjike me Serbinë.

“Nuk ka ndryshime apo indikacione të këqija, nga njëra anë, por, nga ana tjetër, sigurisht që situata gjeopolitike mund të ketë ndikim në marrëdhëniet e Rusisë me çdo vend, përfshirë Serbinë. Më e rëndësishmja është që Serbia me këmbëngulje, me dinjitet dhe me respekt për interesat kombëtare, të mos i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë. Ai qëndrim është i vendosur dhe presidenti Aleksandar Vuçiç e ka konfirmuar disa herë”, tha ambasadori rus.

Ai tha se negociatat ndërmjet Beogradit dhe Moskës për një marrëveshje të re për furnizimin me gaz rus janë duke u përgatitur dhe shtoi se ato do të ndikohen nga marrëdhëniet e përgjithshme mes dy vendeve, por edhe nga situata e tregut./abcnews.al/