Ukraina punoi për të rivendosur furnizimin me energji elektrike dhe ujë të shtunën, pasi vala e fundit e sulmeve të Rusisë futi në errësirë shumë qytete dhe i detyroi njerëzit të durojnë temperaturat nën zero pa ngrohje ose ujë të rrjedhshëm.
Agjencia France-Presse raportoi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky , tha të shtunën se ndërsa energjia elektrike u ishte rikthyer pothuajse 6 milionë ukrainasve, por kishte probleme të vazhdueshme me furnizimin me ngrohje dhe ujë dhe “ndërprerje në shkallë të gjerë” në shumë rajone.
Ai tha në fjalimin e tij të natës: Gjëja kryesore sot është energjia. Ka ende shumë punë për të bërë për të stabilizuar sistemin.
Në Kiev, metroja kishte pushuar së funksionuari në mënyrë që njerëzit e mbështjellë me pallto dimërore të mund të strehoheshin në stacionet e nëndheshme. Por kryebashkiaku Vitali Klitschko tha të shtunën se shërbimi kishte rifilluar, ndërsa furnizimi me ujë ishte rivendosur gjithashtu dhe 75% e popullsisë së qytetit kishte rikthyer ngrohjen.
Në qytetin lindor të Kharkiv, energjia gjithashtu ishte kthyer plotësisht, tha të shtunën guvernatori rajonal Oleg Sinegubov , pasi sulmet kishin lënë qytetin e dytë të Ukrainës pa energji elektrike.
Ofruesi kombëtar i energjisë i Ukrainës Ukrenergo kishte vendosur ndërprerje emergjente në përgjigje të sulmeve, duke paralajmëruar se përmasat e dëmeve në veri, jug dhe qendër të vendit do të thoshin se mund të duhej më shumë kohë për të rivendosur furnizimet sesa pas sulmeve të mëparshme./Abcnews.al/