Rusia: Sanksionet “absurde” amerikane do të godasin biznesin e kompanive të huaja

schedule08:27 - 27 Janar, 2023

schedule 08:27 - 27 Janar, 2023

Rusia ka thënë të premten se sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara ndaj Moskës, për veprimet e saj në Ukrainë, janë “absurde”, dhe vetëm do t’ua vështirësojnë kompanive të huaja aktivitetet biznesore.

“Në secilën valë të re të kufizimeve ekonomike, bëhet më i qartë joefikasiteti dhe absurditeti i kësaj qasjeje”, ka thënë Ambasada ruse në Shtetet e Bashkuara.

Ajo ka thënë se kompanitë e huaja janë të parat që do të vuajnë nga sanksionet e reja dhe se aftësia e tyre për të punuar me partnerë rusë, është duke u “tkurrur vazhdimisht”.

Departamenti amerikan i Thesarit ka thënë të enjten se do të sanksionojë dhjetëra persona dhe entitete që lidhen me pushtimin rus në Ukrainë.

Aty është përfshirë edhe Wagner, grup paramilitar rus që lufton në Ukrainë.

Në njoftim, Wagner është përshkruar si “organizatë kriminale”, e përgjegjshme për abuzim të të drejtave të njeriut.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!