Presidenti rus Vladimir Putin po bën gjithçka që mundet për të ndihmuar në uljen e tensioneve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, tha në një deklaratë sot Kremlini.
“Është e vështirë të mbivlerësohet roli i Rusisë dhe roli i Putinit personalisht” në ndërmjetësimin midis dy vendeve,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
“Presidenti po bën çdo përpjekje për të kontribuar në de-përshkallëzimin e tensioneve në kufi. Këto përpjekje po vazhdojnë,” shtoi ai.
Armenia dhe Azerbajxhani fajësojnë njëra-tjetrën për luftimet gjatë natës përgjatë kufirit.
Një marrëveshje armëpushimi e ndërmjetësuar nga Moska u shkel më pak se një orë pasi u dakordësua mëgjesin e sotëm, megjithëse intensiteti i armiqësive është zbutur, tha kryeministri armen Nikol Pashinyan në një fjalim në parlament.
Nga ana e saj, Ministria e Mbrojtjes e Armenisë njoftoi se intensiteti i luftimeve në kufirin Armeni-Azerbajxhan “është ulur ndjeshëm”, por situata mbetet “jashtëzakonisht e tensionuar”.
Përshkallëzimi i përtërirë i armiqësive midis dy vendeve të Kaukazit Jugor ka ngjallur frikën se një luftë e dytë e gjithanshme mund të shpërthejë në botën post-sovjetike, në krye të pushtimit rus të Ukrainës.
/abcnews.al