Rusia kërkon që në OKB të diskutohet për centralin bërthamor të Zaporizhjas

schedule19:55 - 22 Gusht, 2022

schedule 19:55 - 22 Gusht, 2022

Rusia ka kërkuar që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mbajë mbledhje më 23 gusht për situatën në centralin bërthamor të Zaporizhjas. Kështu tha zëvendësambasadori rus në OKB, Dmitry Polyanskiy, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ruse, RIA.

Centrali i Zaporizhjas, që është më i madhi në Evropë, u mor nën kontroll nga Rusia në mars, pak kohë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës. Është raportuar se javëve të fundit ka pasur luftime në central, gjë që ka rritur frikën për një fatkeqësi bërthamore në Ukrainë, shtet që ende vuan pasojat e fatkeqësisë bërthamore të vitit 1986 në Çernobil.

Më 22 gusht, presidenti amerikan, Joe Biden, ai francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministri britanik, Boris Johnson, bën thirrje që të ndërpriten luftimet përreth centralit të Zaporizhjas. Liderët botërorë po ashtu kërkuan që inspektorët e agjencisë për energji bërthamore të OKB-së, të lejohen që të vizitojnë centralin sa më shpejt që të jetë e mundur.

Zyrtarët ukrainas thanë se Rusia nuk po respekton këto thirrje dhe gjatë natës sërish ka bombarduar zonat përreth centralit. Parlamenti rus ka paralajmëruar se do të mbajë një mbledhje më vonë gjatë javës për të diskutuar situatën përreth këtij centrali bërthamor të Ukrainës.

Në deklaratën zyrtare të publikuar më 22 gusht, Parlamenti rus tha se mbledhja e Këshillit të Dumës Shtetërore do të mbahet më 25 gusht për të diskutuar “kërcënimin e sigurisë së centralit bërthamor të Zaporizhjas”.

Rusia nuk e mohon se trupat e saj janë të vendosura në central, por hedh poshtë pretendimet se kryen granatime në këtë zonë. Moska fajëson forcat ukrainase për granatimin e zonës, pretendime që hidhen poshtë nga Kievi. /REL/