Rusia e ka akuzuar Ukrainën se e ka kryer sulmin vdekjeprurës ajror ndaj një dyqani ushqimor në qytetin e Donjeckut – të kontrolluar nga Moska – në lindje të Ukrainës, pasi një valë sulmesh ruse me dronë sulmuan disa rajone ukrainase, përfshirë kryeqytetin, Kiev.
Agjencia shtetërore e lajmeve, RIA, tha se hetuesit rusë po hetojnë sulmin e kryer më herët gjatë 10 janar, duke pretenduar se një raketë HIMARS – që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës – goditi supermarketin, duke vrarë dy persona.
Një video e publikuar në rrjetet sociale, e cila është verifikuar nga Radio Evropa e Lirë, duket se shfaq një shpërthim masiv në një zonë ku gjendej një dyqan i vogël.
Zyrtarët ukrainas nuk kanë komentuar këto akuza ruse.
Forcat ajrore ukrainase, ndërkaq, thanë se Rusia ka sulmuar Ukrainën me 72 dronë të llojit Shahed në rajonet Poltava, Sumi, Harkiv, Çerkasi, Kiev, Dnipropetrovsk, Zaporizhja, Helmitski, Vinitsja dhe Herson.