Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova tha se dënojnë ashpër djegien e Kuranit të Shenjtë dhe veprimet e ngjashme në Danimarkë.
Zakharova në konferencën për media tha se akte të tilla nuk janë të rralla në Danimarkë. “Tani po i shohim se si ka ekstremistë fetarë në kryeqytetet evropiane që mendojnë se do të mbeten të pandëshkuar. Po bëhen krime me një inat të çmendur duke u tallur me Kuranin e Shenjtë dhe Islamin”, tha Zakharova.
Ajo theksoi se tallja me ndjenjat e besimtarëve nuk është shenjë e lirisë së shprehjes dhe nuk ka të bëjë me demokracinë. “E gjithë kjo është vetëm e mbuluar nga autoritetet daneze me terma dhe fraza të ngjashme, por në fakt, ato janë një manifestim i barbarizmit agresiv dhe ksenofobisë”, shtoi Zakharova.
Duke theksuar se Rusia do të kundërshtojë gjithmonë “poshtërimin e ndjenjave të besimtarëve, shkeljeve të tilla të turpshme të të drejtave”, siç vërehet aktualisht në Danimarkë, Zakharova paralajmëroi se nëse autoritetet nuk i ndalin këto akte antisociale, radikalizmi do të rritet dhe kjo do të dëmtojë qytetarët e thjeshtë dhe punonjësit e misioneve diplomatike.
“Ne e dënojmë fuqishëm djegien e Kuranit në Danimarkë dhe veprime të ngjashme ekstremiste”, tha Zakharova.