Komiteti Hetues i Rusisë e ka akuzuar zyrtarisht Darya Trepovan për terrorizëm për rolin e saj të supozuar në vrasjen e një blogeri të njohur rus të luftës në një kafene në Shën Petersburg.
Komiteti, agjencia më e lartë shtetërore e hetimit penal në Rusi, tha më 4 prill se Trepova, 26 vjeçe, u akuzua për kryerjen e “një akti terrorist nga një grup i organizuar që shkaktoi vdekje të qëllimshme” përmes bombardimit të kafenesë, që vrau Vladlen Tatarskyn, nofkën e blogerit të njohur Maksim Fomin.
Tatarsky ishte i njohur për mbështetjen e pushtimit të Ukrainës nga Moska dhe mbështetjen për separatistët në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës, shkruan REL.
Komiteti shtoi se Trepova po vepronte mbi udhëzimet e njerëzve që përfaqësonin Ukrainën, të cilën Moska e pushtoi në shkurt të vitit 2022, duke nisur kështu një luftë që ka vrarë mijëra njerëz.
Trepova – e cila u transferua në Moskë, ku pritet të ketë një seancë gjyqësore për t’ia shqiptuar masën e paraburgimit për të paktën dy muaj – është përshkruar në mediat ruse si një shtetase ruse dhe banore e Shën Petersburgut, e cila ishte arrestuar më parë për pjesëmarrje në tubimet kundër luftës. Ministria e Brendshme e Rusisë e emëroi Trepovan më 3 prill si të dyshuar për vrasjen e Tatarskyt dhe e shtoi atë në listën e personave në kërkim.