Nxënësit e shkollave të mesme ruse do të mund të stërviten për të fluturuar me dronë luftarakë që nga viti i ri shkollor duke filluar në shtator, sipas planprogramit shkollor të publikuar sot nga Ministria e Arsimit e Rusisë.
Nxënësit e shkollave të mesme në Rusi do të kenë mundësinë të familjarizohen me “mjetet e përdorimit ushtarak të dronëve” apo edhe si “të kryejnë misione zbulimi duke përdorur dronë”.
Ata gjithashtu do të jenë në gjendje të “kryejnë veprime specifike pilotimi me dron”, si dhe të mësojnë mënyra për të kapur “dronë armiqësor”.
Klasat për këto kurse korrespondojnë me grupmoshën 15-17 vjeç, në kuadër të “stërvitjes fillestare ushtarake”.
Ky trajnim, i cili u zbatua gjatë periudhës sovjetike përpara se të tërhiqej, rifillon me fillimin e vitit shkollor 2023-2024. Programi i trajnimit parashikon, ndër të tjera, njohje me armët luftarake si pushka kallashnikov dhe përfshin të paktën 140 orë mësime.
“Futja e një kursi të tillë në shkolla do të bëjë të mundur përgatitjen sistematike të qytetarëve për një konflikt të mundshëm me armikun,” tha deputeti Sergei Mironov në nëntor 2022.
Dronët po përdoren masivisht në luftën në Ukrainë nga të dyja palët dhe territori rus është objektiv i sulmeve me dronë pothuajse çdo ditë.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në shkollat ruse janë futur programe të ndryshme që synojnë nxitjen e patriotizmit dhe me përmbajtje antiperëndimore.
Në këtë kuadër, java shkollore nis me himnin kombëtar dhe ceremoninë e ngritjes së flamurit dhe janë futur “diskutimet për atë që është e rëndësishme”, veçanërisht në lidhje me armiqësitë në Ukrainë dhe për të justifikuar sulmin rus ndaj fqinjit të saj.