Rusi, centrali i parë bërthamor lundrues nis udhëtimin

schedule19:00 - 23 Gusht, 2019

schedule 19:00 - 23 Gusht, 2019

Në Rusi ka nisur udhëtimin çentrali i parë bërthamor lundrues. Autoritetet në Moskë kanë deklaruar se mjeti do të përshkojë Arktikun për t’u sjellë energji elektrike zonave të izoluara, por ambjentalistët kanë dhënë alarmin për rrezikun që mund të vijë nga incidentet radioaktive.

Autoritetet në Rusi kanë vënë në lëvizje çentralin e parë bërthamor lundrues, që do të përshkojë 5 mijë kilometra, nga porti i Murmanskut në Arktik deri në lokalitetin Çukotka, në lindje.

Në një deklaratë për shtyp, agjencia kombëtare për energjinë bërthamore bëri të ditur se mjeti do të nxisë furnizimin me energji të zonave të largëta.

Sipas mediave ndërkombëtare, një nga objektivat kryesorë të çentralit është furnizimi me energji i një kompleksi minierash në Çukotka, ku ka edhe rezerva të pasura me ar.

Por grupi ambjentalist Grinpis e konsideron projektin si shumë të rrezikshëm.

Duke kujtuar incidentet e mëparshme bërthamore që kanë ndodhur në Rusi, grupi paralajmëron se çentrali lundrues mund të rrisë rrezikun për ndotjen e Arktikut, një rajon i largët dhe i papajisur me mjetet e duhura për pastrimin e ambjentit.

Nisja e lundrimit të çentralit, i quajtur “Akademiku Lomonosov”, vjen vetëm dy javë pasi një motor me fuqi bërthamore shpërtheu në një bazë të marinës ruse në Arktik, duke vrarë 5 inxhinjerë dhe duke çliruar material radioaktiv, edhe pse jo në përmasat e katastrofës së Çernobillit.

Stacioni lundrues furnizohet me karburant radioaktiv, që i jepet në bord.

Autoritetet ruse kanë deklaruar se projekte të tjera të ngjashme do të pasojnë për t’u ardhur në ndihmë zonave të largëta./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!