Rusi, arrestohet liderja e opozitës

schedule17:15 - 3 Gusht, 2019

schedule 17:15 - 3 Gusht, 2019

Autoritetet ruse i kanë paraprirë protestës së radhës së opozitës, duke arrestuar lideren e saj, Ljubov Sobol. Ajo është marrë me forcë nga agjentët e policisë, të cilët kanë arrestuar gjithashtu rreth 30 persona të tjerë.

Liderja e opozitës ruse Ljubov Sobol është arrestuar të shtunën nga policia teksa bëhej gati të drejtonte një protestë të paautorizuar në Moskë, kundër skualifikimit të kandidatëve të opozitës nga zgjedhjet lokale. Sobol ndodhej në një taksi, kur efektivët e policisë e morën me forcë dhe e hipën në një furgon të zi që u zhduk me shpejtësi në rrugët e kryeqytetit rus. Ndërkohë, njësi të tjera policore të specializuara në kontrollin e turmave udhëtuan në zona të ndryshme të Moskës për të paralajmëruar qytetarët që të mos merrnin pjesë në protestë.

Nga disa media lokale rezulton se të paktën 33 persona u arrestuan për mosbindje. Ljubov Sobol, me profesion avokate dhe gjithashtu një video-bloger e njohur, u skualifikua bashkë me dhjetëra kandidatë të tjerë nga zgjedhjet lokale në Rusi. Ajo ishte për 21 ditë në grevë urie dhe u kishte bërë thirrje mbështetësve të saj që të bashkoheshin për protestën e së shtunës.

Duke folur për një televizion lokal para se të arrestohej, Sobol deklaroi se autoritetet ruse po bënin gjithçka për të intimiduar opozitën. “Prandaj është e rëndësishme të dalim në protestë, për të treguar se qytetarët nuk u tremben provokimeve dhe se janë gati të luftojnë për të drejtat e tyre”, tha Sobol./ABC News Albania 24/7

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!