Një gazetar që denonconte korrupsionin në nivele të larta të politikës është arrestuar në Rusi. Ngjarja, përveç se ka indinjuar shtypin lokal, ka shkaktuar edhe protesta në Moskë e Shën Pietërburg.
Një gazetar rus, autor i një seri shkrimesh mbi korrupsionin në nivelet e larta, është arrestuar në Moskë.
Ivan Golunov, 36 vjeç, u ndalua nga policia nën akuzën e përfshirjes në një linjë të trafikut të drogës të përmasave të mëdha. Avokati i reporterit, që punon për portalin e lajmeve Meduza, me bazë në Letoni, ka deklaruar se klienti i tij është dhunuar brutalisht nga agjentët e policisë, të cilët sipas tij ia kanë vendosur dhe drogën.
Ndërsa portali i lajmeve Meduza reagoi duke thënë se 36-vjeçari po persekutohet për shkak të aktivitetit të tij si gazetar. Golunov do të paraqitet në gjykatën e Moskës ditën e shtunë. Vazhdimisht ai ka ekspozuar me shkrimet e tij korrupsionin në radhët e politikanëve dhe biznesmenëve të nivelit të lartë.
“Ne do ta gjejmë kush ia bëri këtë gazetarit tonë dhe do ta publikojmë informacionin”, paralajmëruan drejtuesit e portalit të lajmeve për të cilën Golunov punon.
Ata shtuan se ai kishte marrë një seri kërcënimesh në muajt e fundit, në lidhje me një histori që ai ende nuk e ka shkruar, por për të cilën po punonte. Arrestimi i tij shkaktoi protesta në Moskë dhe Shën Pietërburg, gjatë të cilave dhjetëra njerëz, mes të cilëve gazetarë, u arrestuan dhe u liruan më vonë./ABC News Albania 24/7