RUPTLY TV për protestat në Shqipëri: Vendi është në flakë

schedule14:21 - 23 Shkurt, 2019

schedule 14:21 - 23 Shkurt, 2019

Televizioni rus Ruptly TV, pasqyron protestat në Tiranë me anë të një reportazhi sipas të cilit vendi ynë aktualisht është në flakë, me opozitën në vend që akuzon qeverinë për lidhje me krimin e organizuar.

Gazetari Igor Zhdanov, në reportazhin e përgatitur për Ruptly TV, rreth situatës në vendin tonë, e nis me fjalët: Shqipëria është në flakë, vendi i vogël është ngritur në protesta kundër qeverisë. Por dhe në parlament është protestuar ku një deputet i opozitës ka hedhur bojë në fytyrën e kryeministrit të vendit.

Më tej ai raporton se si deputetët e opozitës vendosën të djegin mandatet e tyre, duke e nxjerrë sistemin jashtë loje, pra çfarë po ndodh, pyet ai më tej.

Akuzat që i drejtohen qeverisë, janë shumë  të rënda, pasi shumë njerëz e akuzojnë se po punon dorë për dore me baronët e drogës, thekson Zhdanov, duke pasqyruar një citim të liderit opozitës Basha, ku thuhet se parlamenti aktual nuk është një produkt i votës së popullit, por prodhim i krimit të organizuar.

Moderatori më tej shton se përgjimet e publikuara së fundmi konfirmojnë lidhjet e zyrtarëve të lartë me kartelet e drogës dhe kriminelët. Lidhje që janë shfrytëzuar për blerjen e votave në zjedhjet e fundit në vend.

Gjithashtu në reportazh përmendet dhe hetimi ndaj ish ministrit të brendshëm Tahiri i cili akuzohet për përfshirje në trafikun e drogës. Kryeministri Rama fillimisht e mbrojti duke mos i hequr imunitetin, sipas gazetarit, dhe gjykatësit fillimisht nuk mund të bënin asgjë.

Nuk bëhet fjalë vetëm për disa mollë të kalbura pra, pasi opozita këmbëngul se e gjithë qeveria është e përfshirë. E ndërkohë Departamenti Amerikan i Shtetit i kërkon opozitës të heshtë duke i cilësuar protestat si jo demokratike , përfundon ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!