Një flotë automjetesh të blinduara, të frymëzuara nga vdekja e një ushtari ukrainas, po ndërtohet me porosi falë donacioneve nga Rumania.
Ky autobus, i fotografuar në një periferi të Kievit më 23 prill, është një nga disa automjetet unike të blinduara që janë financuar nga rumunët dhe tani janë gati të dërgohen në zonat e luftimeve në lindje të Ukrainës.
Automjeti dikur shërbente si autobus publik për banorët e Pilas, në Poloninë veriore. Tani ai është i pajisur si një spital i lëvizshëm fushor i blinduar.
Automjeti synon të shërbejë si një strukturë mjekësore që mund të stacionohet brenda disa kilometrave nga pozicionet e vijës së parë.
Projekti drejtohet nga Radu Hossu, një aktivist nga Brasovi, i cili pati rritje të madhe të ndjekësve në mediat sociale për raportimin në gjuhën e tij amtare rumune nga vijat e frontit në Ukrainë.
Hossu thotë se një spital i blinduar i lëvizshëm u parashikua për herë të parë nga një mik ukrainas, i njohur me nofkën e tij ushtarake Angel.
“Ai e kishte këtë ide për një kohë të gjatë”, shpjegon rumuni.
Në luftën e Ukrainës shumë raste të vdekjes ndodhin gjatë transportimit të ushtarëve të plagosur rëndë nga pozicionet e vijës së parë drejt spitaleve, të cilat shpesh janë larg nga llogoret. Një nga ato raste ishte miku i ngushtë i Hossus, Oleg Gubal, i cili vdiq nga plagët në nëntor të vitit 2022 derisa ishte duke u transportuar brenda një automjeti që Hossu e kishte blerë me donacionet e rumunëve.
“Ai vdiq në rrugë nga vija e frontit për në spitalin më të afërt. Pra, nëse ky [spital i lëvizshëm i blinduar] do të kishte ekzistuar atëherë, ai do të kishte një shans për të mbijetuar”, thotë rumuni.
“Ai ishte engjëlli im mbrojtës kur ishim në llogore”, thotë Hossu për mikun e tij Gubal. “Ai vazhdimisht e vendoste veten mes meje dhe rrezikut. Gjithmonë flija jashtë mase, ai më zgjonte dhe më thoshte: Hajde Radu, duhet të shkosh të hash tani. Ai ishte një djalë vërtet i sjellshëm”.
Pas vdekjes së ushtarit ukrainas, Hossu thotë se u ndie i detyruar të përkujtonte mikun e tij. Kompleksi i autobusëve të blinduar do të mbajë emrin e ushtarit të rënë ukrainas.
“Doja ta transformoja një tragjedi në diçka të mirë”, thotë Hossu. “Realiteti është ky: Gubal kishte një vajzë të vogël dhe një djalë të vogël. Pasi vdiq, nga nëntori e deri në Krishtlindjet e kaluara, djali i tij i shkruante letra Babadimrit duke i kërkuar që ta kthente babanë e tij në shtëpi”.
Spitali i blinduar “Oleg Gubal” do të shoqërohet nga ky kamion, i cili ka një ndarje të blinduar në pjesën e pasme për mjekët dhe infermierët që të bëjnë dush dhe të flenë. Kamioni do të ngjyroset me të njëjtën ngjyrë ushtarake si autobusi.
Hossu thotë se kompania e makinave me porosi në Kiev që po i ndërton automjetet, nuk e ka faturuar atë për asgjë përtej pagave të punëtorëve të përfshirë. “Pronari ka probleme shëndetësore që e pengojnë të luftojë, ndaj dëshiron të ndihmojë në këtë projekt si kontribut i tij”.
Një rumun i veshur si ushtar ukrainas që kërkoi të identifikohej me shenjën e tij Rum (sipër majtas) është menaxher i projektit të spitalit të blinduar.
Hossu thotë se kompleksi “Oleg Gubal” ka kushtuar rreth 130.000 euro, të cilat u dhuruan nga rumunët, dhe pjesa më e madhe e parave të shpenzuara shkoi për pajisje mjekësore dhe blindë të shkallës ushtarake. Hossu pretendon se blindimi nuk i ka shtuar më shumë peshë automjetit sesa do të kishte mbajtur kur ishte plot me udhëtarë në jetën e mëparshme si autobus publik.
Në të njëjtën punishte ku janë prodhuar mjetet e tjera të blinduara, aktualisht po punohet për këtë mjet të projektuar për t’i arritur pozicionet e vijës së parë që të mund t’i nxjerrë dhe transportojë ushtarët e plagosur në spitalin lëvizës. Automjeti fuoristradë është një kombinim Frankenstein i një shasie kamioni GAZ, të projektuar nga sovjetikët, një kabinë kamioni Ford amerikan dhe një gji ngarkesash të blinduara të ndërtuara sipas porosisë.
Hossu thotë se është befasuar nga donacionet e shumta të rumunëve për projektet e tij të ndryshme për mbledhjen e fondeve për luftën në Ukrainë, duke përfshirë pensionistët që premtuan 50 euro nga rroga prej 250 eurosh sa marrin në muaj nga qeveria e tyre.
“Unë fola me një plak dhe i thashë: ‘Të lutem mos e bëj këtë, të duhen këto para”, rikujton Hossu. “Ai më tha: ‘Mos ma hiq mundësinë për të qenë i dobishëm përsëri në këtë botë”. Flota e automjeteve të blinduara është planifikuar që të largohet nga Kievi në fillim të majit dhe të lëvizë drejt zonave të luftimeve në Ukrainën lindore./REL
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!