Nesër luhet finalja e Superkupës së Evropës mes Bayern Munchen dhe Sevillas. Të parët fituan Champions League, ndërsa skuadra andaluziane konfirmoi sërish se mbetet “mbretëresha” e Europa League.
Finalja e kampionëve do të luhet në stadiumin “Puskas Arena” të Budapestit. Gjendja e krijuar nga koronavirusi në Hungari nuk është aspak e mirë. Kryeqyteti ka një shkallë të lartë të infeksionit, që llogaritet sa dyfishi i asaj në Bavari.
Në shkallët e stadiumit do të lejohen tifozët, 30% e kapacitetit mund të mbushet dhe Karl-Heinz Rummenigge ndihet shumë i shqetësuar. “Jam shumë i shqetësuar për ndeshjen e nesërme ndaj Sevillas“, deklaron CEO i klubit bavarez për ZDF.
“Ndeshja do të luhet në një qytet ku shkalla e infeksionit të njerëzve me Covid-19 është mbi 100 persona në 100 mijë. Besoj se shumë njerëz do të ndjejnë shtrëngime në stomak.
Është një situatë me rrezikshmëri të madhe, duhet ta marrim shumë seriozisht, pasi rreth 1 mijë tifozë të Bayernit do të jenë të pranishëm në stadium“, deklaron Rummenigge. /abcnews.al