Rumania ka shkatërruar një dron detar të dyshuar si rus në Detin e Zi, vetëm disa qindra metra larg projektit strategjik të gazit natyror Neptun Deep, njoftoi më 20 gusht ministri rumun i Mbrojtjes, Radu Miruță.
Sipas ministrit, roja bregdetare rumune sinjalizoi në orët e mëngjesit praninë e një droni detar pranë zonës ku po zhvillohen punimet për nxjerrjen e gazit në platformën Neptun Deep, në zonën ekskluzive ekonomike të Rumanisë, rreth 130 kilometra në lindje të Konstancës. Pas identifikimit të objektit, ushtria rumune aktivizoi dy avionë luftarakë F-16 të Forcave Ajrore Rumune, të cilët u dërguan për ta neutralizuar dronin, transmeton Telegrafi.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë një F-16 rumun duke iu afruar objektivit dhe duke hapur zjarr me topin e avionit. Sulmi rezultoi i suksesshëm dhe droni u çaktivizua. Më pas, specialistët për eliminimin e mjeteve shpërthyese të Rojës Bregdetare Rumune ndërhynë për ta asgjësuar në mënyrë të sigurt pajisjen, pasi dyshohej se mund të përbënte rrezik.
Ministri Miruță tha se, përmes kanalit të drejtpërdrejtë të komunikimit të krijuar së fundmi me Ukrainën, mori konfirmimin zyrtar se droni nuk ishte me origjinë ukrainase. Fotografitë me rezolucion të lartë të objektit tregojnë një mjet të vogël detar me ngjyrë të zezë, ndërsa dizajni i tij nuk përputhet me modelet e njohura të mjeteve detare pa ekuipazh të përdorura nga ushtria ukrainase.
Edhe pse ministri rumun nuk e akuzoi drejtpërdrejt Rusinë për dërgimin e dronit, presidenti rumun Nicușor Dan ishte më i drejtpërdrejtë në deklaratën e tij. “Dënoj fuqishëm intensifikimin e këtyre incidenteve të papërgjegjshme nga Federata Ruse”, deklaroi Dan, duke shtuar se Rumania dhe aleatët e saj në NATO mbeten vigjilentë për t’u përballur me kërcënime të tilla.
Incidentin e dënoi edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila tha se droni detar i shkatërruar pranë platformës Neptun Deep mbante eksplozivë. “Sot, Rumania shkatërroi një dron detar që mbante eksplozivë pranë platformës së saj Neptun Deep në Detin e Zi”, tha von der Leyen, duke e cilësuar situatën si pjesë të një fushate në rritje kërcënimesh.
Sipas saj, synimi është krijimi i pasigurisë mes qytetarëve evropianë dhe përçarja e Bashkimit Evropian. “Kjo është luftë hibride”, theksoi presidentja e Komisionit Evropian.Incidenti merr rëndësi të veçantë për shkak të vendndodhjes së tij. Neptun Deep është një prej projekteve më të rëndësishme energjetike të Rumanisë dhe pritet të shfrytëzojë rezerva të mëdha të gazit natyror në Detin e Zi, duke forcuar sigurinë energjetike të vendit dhe të rajonit.
Prania e një droni të dyshuar si rus pranë kësaj infrastrukture strategjike ka ngritur shqetësime të reja në Bukuresht dhe në NATO, veçanërisht për rrezikun që lufta në Ukrainë të prekë drejtpërdrejt infrastrukturën energjetike dhe ujërat territoriale të vendeve anëtare të Aleancës. /Telegrafi


