Rumania blen 32 avionë luftarakë F-35 për 7,2 miliardë dollarë

schedule11:45 - 14 Shtator, 2024

schedule 11:45 - 14 Shtator, 2024

Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e dhjetëra avionëve luftarakë F-35 për aleaten e saj në NATO, Rumaninë, një marrëveshje me vlerë 7,2 miliardë dollarë.

Kontrata, e cila ende duhet të miratohet nga Kongresi i SHBA, ka të bëjë me blerjen nga Bukureshti të 32 avionëve F-35A dhe pajisjeve përkatëse, të prodhuara nga gjiganti i hapësirës ajrore dhe mbrojtjes i SHBA ”Lockheed Martin”.

”Kjo shitje e propozuar do të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke rritur sigurinë e një aleati të NATO-s që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.

Njoftimi i kontratës vjen pasi pilotët ukrainas filluan stërvitjen këtë javë në një qendër speciale në Rumani për F-16, avionë luftarakë të prodhuar nga SHBA-të që Uashingtoni i dërgoi në Kiev për të zmbrapsur pushtimin rus.

Rumania ka një pozicion strategjik në portën e Ukrainës dhe Detit të Zi dhe synon të bëhet një qendër ndërkombëtare për trajnimin e F-16. Ajo përuroi një qendër trajnimi F-16 në bazën e saj ajrore ”Fetesti” në nëntor 2023, duke u zotuar se do të stërviste edhe ukrainasit.

Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken u takua me homologen e tij rumune, Luminita Odobescu të enjten duke falënderuar Bukureshtin për dërgimin e një sistemi të mbrojtjes raketore ”Patriot” në Ukrainë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!