Ruleta ruse e Joe Biden: Pse duhet ta anulojë samitin e ardhshëm me Vladimir Putin

schedule10:55 - 7 Qershor, 2021

schedule 10:55 - 7 Qershor, 2021

Nga Liz Peek, The Hill

Joe Biden duhet të anulojë samitin e tij të ardhshëm me Vladimir Putin. Ka pak shanse që presidenti amerikan të arrijë ndonjë përparim të rëndësishëm diplomatik, dhe shumë gjasa që ai ta turpërojë veten gjatë atij takimi.

Në fakt, ai e ka poshtëruar tashmë. Kur Biden propozoi për herë të parë takimin mes të dyve, gjatë bisedës së tij të dytë telefonike me Putin, presidenti rus nuk dha një përgjigje. Hezitimi i tij ishte poshtërues dhe i pashembullt.

Presidenti i Amerikës nuk duhet që t’i lutet për një takim udhëheqësit të një vendi diktatorial që po qëndron në pushtet përmes të ardhurave të paqëndrueshme të naftës, zgjedhjeve të manipuluara dhe aktiviteteve kriminale.

S’ka dyshime se Biden e vendosi veten në këtë pozicion kur e etiketoi Putinin “vrasës” në një intervistë televizive të transmetuar disa javë më parë. Nxitja e tij fëmijërore për ta distancuar veten nga çdo gjë që bënte dhe përfaqësonte Donald Trump, që akuzohej se ishte “i butë” ndaj Putinit, synoi të adoptojë një qëndrim më konfrontues me despotin rus.

Etiketimi i egër (dhe jo diplomatik) i Biden, bëri që Rusia të reagonte me shumë zemërim. Putini nuk i pret aspak mirë kritikat. Mos harroni se ishte denoncimi i zgjedhjeve të manipuluara në Rusi nga ana e Hillary Clinton, ajo që solli vite të tëra hakmarrje nga udhëheqësi i Kremlinit.

Clinton ka kohë që pretendon se ishte Putini ai që i mohoi asaj fitoren në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Nëse ai ka arritur vërtet të ndikojë në animin e peshores drejt Trump, ajo mund të vazhdojë të artikulojë pretendimet e saj të bujshme (por ndoshta të sakta).

E njëjta gjë vlen edhe për Joe Biden. Nëse do qëtë “normalizosh” marrëdhëniet me një kundërshtar, siç po synon Shtëpia e Bardhë, është marrëzi të bësh akuza për vrasje, sado të justifikuara qofshin ato. Pasi më në fund ka rënë dakord për kohën dhe vendin e takimit, Putin ka nisur të ndërmarrë çdo lloj veprimi për të vënë në siklet Biden.

Duke lejuar (ose inkurajuar) elementë kriminalë në Rusi që të nisin sulmet kibernetike mbi gazsjellësin “Colonial Pipeline”, një transpourtues i rëndësishëm i karburanteve në SHBA, dhe ndaj“JBS”, një furnizuese e madhe me produktet e mishit, Putini ka treguar se sistemet mbrojtëse amerikane janë të papërshtatshme,dhe se vendi ynë mund të jetë i prekshëm.

Joe Biden e ka mohuar pjesëmarrjen e qeverisë ruse në sulmet kibernetike, por shërbimet sekrete sugjerojnë se aktivitete të tilla mund të ndodhin vetëm me miratimin e heshtur tëMoskës.

Këto sulme ndaj produkteve më jetike të vendit tonë,shkaktuan mungesa të përkohshme, duke rritur çmimet dhe shkaktuar dhimbje koke si presidentit Biden ashtu edhe konsumatorëve amerikanë. Votuesit janë të zemëruar nga ndërprerjet e furnizimeve me benzinë ​​të “Colonial Pipeline”, pasi ato shkaktuan radhë të gjata nëpër pikat e karburanteve, ndërsa mbyllja e një të pestës së industrisë sonë të prodhimit të mishit të viçit, mund të shkaktojë rritjen e mëtejshme të çmimeve tashmë të larta të biftekëve.

Për më tepër, ato mbylljet e ushqyen inflacionin tashmë në rritje, që po vë në rrezik planet madhështore Biden për shpenzimet e mëdha. Votuesit kanë filluar të bëjnë lidhjet midis paketës prej 1.9 trilion dollarë të Planit të Shpëtimit të Amerikës të presidentit Biden dhe kostove në rritje të gjithçkaje, nga pulat tek pelenat e fëmijëve.

Dhe teksa Putini po e saboton punën e Shtëpinë e Bardhë, si është përgatitur administrata  Biden për takimin ballë për ballë? Ndoshta për të siguruar zhvillimin e takimit, apo si një shenjë mirëbesimi, ekipi i Biden pranoi të heqë dorë nga sanksionet kundër kompanisë ruse që ndërton gazsjellësit “Nord Stream 2” në Gjermani, dhe kreut të saj që është një aleat i Putinit dhe ish-agjent i STASI-t, shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore.

Gazsjellësi do t’i sjellë Rusisë të ardhura të konsiderueshme, dhe do e thellojë akoma më tej varësinë e Evropës nga Moska. Ky akt u kritikua si nga republikanët ashtu dhe demokratët në Kongres, të cilët me të drejtë folën për kapitullimin e Biden dhe për një fitore të rëndësishme politike për Putinin.

Në të kundërt, Rusia po përgatitet për surpriza. Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov, paralajmëroi kohët e fundit se “amerikanët duhet të supozojnë se një numër sinjalesh nga Moska … do të jenë të pakëndshme për ta, përfshirë ato në ditët në vijim”.

A do jenë këto sinjale “të pakëndshme” sulmet kibernetike ndaj kompanive të rëndësishme amerikane? A do të shohim më shumë prej tyre gjatë 2 javëve të ardhshme? Samiti i ardhshëm bart një rrezik të madh për Joe Biden.

Putini është një personalitet i fortë, dominues dhe shumë dinak. Ne nuk i kemi parë ende këto tipare tek presidenti amerikan. Udhëheqësi rus e di se Biden nuk gëzon një besim të madh tek njerëzit e tij të PR për t’u angazhuar në deklarata të pashkruara paraprakisht.

Mund të jeni i sigurt që pala ruse do të kërkojë një konferencë shtypi të përbashkët të gjatë, e cila nuk ka gjasa të shkojë mirë për presidentin amerikan. Putini do të kënaqet duke e vendosur Biden në pozita mbrojtëse.

Për shembull, ai mund të vërë në dyshim çështjet e biznesit të familjes Biden në Ukrainë, apo të pyesë se pse kandidati Biden u bëri jehonë akuzave të dyshimta se Rusia paguante talibanët afganë për të vrarë marinsat amerikanë.

Nga njëherë pyetjet sfiduese e provokojnë Biden; dhe një përgjigje e thjeshtë mund të jetë katastrofike. Biden ka premtuar të jetë i ashpër me udhëheqësin autoritar rus, sidomos për aktivitetet e ushtrisë së tij në kufirin e Ukrainës, të drejtat e njeriut dhe pretendimin e ndërhyrjes së tij në zgjedhjet e SHBA-së.

Me sa duket, Biden do të bëjë një paralajmërim të fortë ndaj Putinit për sulmet e mëtejshme kibernetike. Por Putin do t’i shpërfillë komente të tilla, duke e ditur që Joe Biden nuk ka gjasa t’i kundërvihet në ndonjë mënyrë kuptimplotë sjelljes së keqe të Rusisë.

Ndonëse vendosi sanksione ndaj Rusisë në mesin e muajit prill, kritikët – përfshirë disa demokratë në Kongres – pretendojnë se ai mund të kishte shkuar shumë më tej. Duke i bërë jehonë komunitetit të politikës së jashtme, si zyrtarët rusë ashtu edhe ata amerikanë, i kanë ulur shumë pritshmëritë e tyre në lidhje me takimin e ardhshëm, duke paralajmëruar se nga diskutimet nuk do të prodhohet ndonjë rezultat shumë domethënës.

Por nëse nga bisedimet nuk do të dalë asgjë me rëndësi, atëherë pse duhen mbajtur ato? Biden ka shumë për të humbur dhe shumë pak për të fituar nëse luan një“Ruletë Ruse” diplomatike. Anulimi i takimit do të tregonte se ai ka një “shtyllë kurrizore”, dhe nuk ka frikë të shkaktojë zemërimin e pashmangshëm të Putinit. Ky do të ishte çmimi më i mirë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!