Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit të vrarë 24 vite më parë tha se babai i saj ishte një frymëzim për të dhe të gjithë të rinjtë, ndërsa shtoi se sot është e njëjta situatë si 32 vite më parë, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama se po kontrollon të gjitha pushtet.
Ajo kërkoi nga të rinjtë që nën shembullin e Azem Hajdarit, të luftojnë për më shumë liri dhe meritokraci.
“Sot nderojmë figurën dhe veprën e Azem Hajdarit që sakrifikoi jetën dhe rininë e tij për të çuar në piedestal idealet më të larta. Kur shumë njerëz kishin humbur shpresën që ndryshimi do vinte, Azemi u çua dhe sfidoi regjimin më të egër komunist dhe organizoi studentët në shesh me protesta dhe revolta. Azemi qëndroi besnik ndaj atyre parimeve dhe ai do mbetet nga figurat më të pastërta.
Shqipëria sot ka ndryshuar fizikisht por politikisht mendoj që jemi në kushte shumë të ngjashme.
Shqipëria po kontrollohet nga një grup njerëzish me në krye Edi Ramën teksa shqiptarët kanë humbur të gjitha shpresat se ndryshimi do vijë.
Ndaj mendoj që Azemi është figura që ne mund të bazohemi dhe të mendojmë që ai është personi që në vitin ‘90 u çua për të sjellë ndryshimin. Mesazh im sot është për të rinjtë dhe të rejat, që hajde organizohemi, çohemi dhe të luftojmë dhe të guxojmë për ëndrrat tona, t’i fitojmë betejat tona për më shumë liri, demokraci, meritokraci”, tha Rudina Hajdari. /abcnews.al