Ruçi përshëndet 75 vjetorin e OKB: Paqja dhe jo lufta janë zgjedhja e njerëzimit

schedule09:43 - 24 Tetor, 2020

schedule 09:43 - 24 Tetor, 2020

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka përshëndetur sot 75 vjetorin e themelimit të OKB-së.

24 tetori i vitit 1945 është ndër stacionet më të rëndësishme të historisë moderne. Themelimi i OKB-së dhe hyrja në fuqi e Kartës Themeluese të Kombeve të Bashkuara, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ishte shenjë e ndërgjegjësimit të kombeve dhe qeverive të tyre se paqja dhe jo lufta janë zgjedhja e njerëzimit; se bashkimi dhe jo ndarjet janë  mjeti për arritjen e paqes; se demokracia në asnjë komb nuk mund të ndërtohet e të jetë e qëndrueshme, pa demokratizuar vendim-marrjet botërore.

OKB është aktualisht një organizatë globale, me legjitimitet, fuqi  dhe impakt si rrallë ndonjëherë në histori.

Nga 51 shtete themelues, Asambleja e Përgjithshme është rritur sot në 193 shtete.

Shqipëria u pranua anëtare e OKB-së më 14 dhjetor 1955, pas një dekade përpjekjesh për të siguruar këtë të drejtë, si zbatim i parimit të universalitetit të kësaj organizate të madhe botërore.

Anëtarësimi në OKB është një mundësi për të kontribuar në të mirë të zhvillimit, paqes, sigurisë, mirëkuptimit dhe zgjidhjes së problemeve ndërkombëtare me mjete paqësore.

Pozita e Shqipërisë në OKB ka ardhur duke u fuqizuar dhe aktualisht vendi ynë ka paraqitur kandidaturën për anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit për vitet 2022-2023, për të cilën po fitojmë gjithnjë e më shumë mbështetje ndërkombëtare.

Kuvendi i Shqipërisë është aktualisht duke zhvilluar një diplomaci intensive parlamentare për të arritur këtë objektiv. Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është një vlerë e shtuar në kontributin në shërbim të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, shkruhet në përshëndetjen e Kryetarit të Kuvendit, me rastin e 75 vjetorit të themelimit të OKB-së”.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!