Rubin: Shtetet e Bashkuara, të gatshme të ndihmojnë Malin e Zi në luftën kundër dezinformimit rus

schedule22:13 - 10 Prill, 2023

schedule 22:13 - 10 Prill, 2023

I dërguar i posaçëm amerikan James Rubin, tha të hënën në Podgoricë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë Malin e Zi në luftën kundër dezinformimit nga Rusia dhe Kina dhe t’u kundërvihet kërcënimeve tjera në hapësirën e informacionit.

Zoti Rubin, bashkërendues i Qendrës për Angazhimin Global të Departamentit amerikan të Shtetit, i bëri këto komente pas takimeve me zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues partish politike me të cilët diskutoi përpjekjet e Rusisë dhe Kinës që duke përdorur dezinformatat të dëmtojnë demokracinë.

Është një sfidë e madhe. Unë jam këtu në Mal të Zi, në Ballkanin Perëndimor, sepse ky është një vend ku dezinformimi ka pasur një ndikim të dëmshëm. Ka helmuar hapësirën e informacionit për njerëzit e këtij rajoni. Rusia do të donte ta kthente Ballkanin Perëndimor në një kohë konflikti, por ne kemi shumë shpresë tani”, tha zoti Rubin, i cili pas Podgoricës do të qëndrojë edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, që të tria vende anëtare të NATO-s.

Zoti Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë shërbeu si ndihmës sekretar i shtetit, nuk planifikon të qëndrojë në Prishtinë dhe në Beograd, por tha se ka “shumë mundësi për paqe mes Kosovës dhe Serbisë, për një normalizim të marrëdhënieve të tyre dhe kjo do të sjellë një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit”, duke iu referuar marrëveshjes së muajit të kaluar ndërmjet palëve për të zbatuar një plan evropian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve.

Por nuk do të funksionojë nëse nuk punojmë në këtë sfidë të dezinformimit dhe manipulimit të informacionit. Kjo do të thotë të punojmë në rrugë institucionale, të udhëheqim përmes strukturave qeverisëse, përmes shoqërisë civile, të punojmë së bashku për të zhvilluar mjetet që na duhen”, tha zoti Rubin, duke nënvizuar gatishmërinë amerikane për të punuar me qeverinë e re në Mal të Zi në luftën kundër dezinformimit.

Mali i Zi, një vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, përballet prej kohësh me trysninë nga Rusia, e cila kundërshton integrimet e saj evropiane dhe ishte e zemëruar me anëtarësimin e vendit të vogël ballkanik në NATO.

Nëse dezinformatat ruse dominojnë hapësirën këtu, do të jetë e vështirë të arrihet përparim. Ajo që kam dëgjuar nga udhëheqësit këtu dhe ajo që më ka inkurajuar, është se ata do të jenë të përqendruar te ne dhe te Bashkimi Evropian”, tha zoti Rubin, duke theksuar se agresioni rus në Ukrainë i bëri gjërat “të qarta për të gjithë në këtë rajon”.

Pas agresionit rus në Ukrainë, Mali i Zi iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Moskës dhe dëboi një numër diplomatësh rusë. Kremlini e ka vendosur Malin e Zi në listën e shteteve jomiqësore.

Në vitin 2016, Mali i Zi akuzoi agjentët rusë dhe nacionalistët serbë për një përpjekje për të organizuar një grusht shteti. Moska i hodhi poshtë pretendimet e tilla si absurde dhe Beogradi mohoi përfshirjen.

I pyetur nga gazetarët se si duhet të luftojë Mali i Zi kundër dezinformatave, duke pasur parasysh ndikimin e madh të Beogradit dhe Kishës Ortodokse Serbe, zoti Rubin tha se duhet bërë 100 për qind përpjekje për të bllokuar kanalet e dezinformimit.

Ne duhet të respektojmë lirinë e fjalës, ju keni të drejtë të keni qëndrime dhe të raportoni për to. Ky është problemi, gjetja e kufirit midis lirisë së medias dhe dezinformatave të rrezikshme. Është e vështirë, por është e mundur”, tha zyrtari amerikan.

Të hënën, u publikua analiza e fundit e Qendrës Digjitale Ligjore të Podgoricës , e cila tha se autoritetet përgjegjëse do të duhej “t’i qasen seriozisht reduktimit të problemit të dezinformimit” në shoqëri.

Bëhet fjalë për vullnet politik, pasi, pavarësisht ndalimit të transmetimit të Russia Today dhe Sputnik në territorin e Malit të Zi, është e mundur të hyni në portalet e tyre pa pengesa”, thuhet në analizën e Qendrës Digjitale.

Zoti Rubin tha se një numër mediash në Mal të Zi që përhapin dezinformata nga Rusia dhe Kina dhe se qeveria duhet të merret urgjentisht me këtë problem.

Për shembull, Rusia dhe Kina përsërisin se në Ukrainë ka fabrika të armëve biologjike, përkundër faktit se është vërtetuar se kjo nuk është e vërtetë, ose se në një farë mënyre Shtetet e Bashkuara e donin këtë luftë, që është gjithashtu e pakuptimtë”, tha zoti Rubin, qendra e të cilit shkëmben informacione me agjencitë amerikane dhe qeveritë e huaja në lidhje me fushatat e dezinformimit në rrjetet e lajmeve, rrjetet sociale dhe faqet e internetit./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!