Ruajtja e gjuhës rome/ Të rinjtë e komunitetit rom e flasin gjithmonë e më pak

schedule14:24 - 9 Nëntor, 2024

schedule 14:24 - 9 Nëntor, 2024

“Gjuha rome është një ndër gjuhët më të vjetra në botë, ndërsa UNESCO e ka renditur në mesin e gjuhëve që rrezikojnë të zhduken.”

Amarda e flet me shumë vështirësi gjuhën rome, pasi në familjen e saj flitet rrallë.

“Mua më pëlqen kur flas shqip. Babi dhe gjyshja flasin romane.”

Romishtja është trashëguar brez pas brezi dhe pjesa më e madhe e komunitetit rom në Shqipëri e flasin atë, ndonëse nuk e shkruajnë mirë. Të rriturit e quajnë gjuhën e nënës dhe përpiqen ta përçojnë edhe tek fëmijët.

“Ne flasim romane te shpia, jo shqip.”

“Fëmijët e kanë mësuar pak me fëmijët e lagjes se në shtëpi nuk e përdor. E kam gjuhën e nënës.”

Të rinjtë e komunitetit rom gjithnjë dhe më shumë hezitojnë ta flasin gjuhën e tyre për një sërë arsyesh, duke shtuar rrezikun për zhdukjen e saj në të ardhmen.

“Është edhe tkurrja e familjes, të rinjte kane kontakte me shume me jashtë, dhe në familje nuk shihet me si vlerë, dhe në shumë raste e shohin sikur i ka penguar si gjuhe per shkak te diskriminimit.”, thotë Sead Kazanxhiu.

Nënkryetar i Komitetit për Pakicat kombëtare në Shqipëri, Sead Kazanxhiu, tregon se në familjen e tij ruajtja e romishtes dhe trashëgimia e saj te brezat e rinj është konsideruar gjithnjë e rëndësishme deri më sot, por të ardhmen e sheh me pasiguri.

“Shqipen e kam mesuar ne klase të parë. Brezi jonë ka folur gjuhën rome, ndërsa tani ka ndryshua shumë. Psh. kur u martua vëllai i madh në filluam te flisnim shqip se nusja përdorte shqipen.”
Në Shqipëri fliten tre dialekte të gjuhës rome.

“Ndahen sipas profesioneve, dialekti i meckareve romet që merren me bujqësi, dialekti i çergarëve që janë marrë me tregti dhe dialekti i arlive.”

Anëtarët e komunitetit rom synojnë përfshirjen e romishtes në kurrikulat e shkollës, si dhe standardizimin e saj si një mënyrë që gjuha të vazhdojë të ruhet.

Pak vite më parë në Universitetin e Elbasanit u hap katedra e gjuhës rome, por më pas u mbyll sërish për shkak të mungesës së studentëve. Ndërkohë, aktualisht në Elbasan gjuha rome mësohet si lëndë e veçantë në një shkollë 9 vjeçare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!