Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Rrugëtimi i një biznesi me varkë/ Blerina Proj nisi si punëtore në turizëm, sot drejton agjencinë e saj

schedule20:38 - 12 Shtator, 2026

schedule 20:38 - 12 Shtator, 2026

Në Sarandë, vera nuk matet vetëm me temperaturat apo numrin e turistëve që mbushin plazhet. Për disa, sezoni turistik është edhe një histori personale, e ndërtuar vit pas viti, mes detit, turistëve dhe një ëndrre që nisi me vetëm një skaf.

Kjo është historia e Linës, një gruaje që mbërriti në këtë industri si punëtore dhe sot drejton agjencinë e saj të tureve detare, me emrin që dikur e shkruante në një copë letër kur u jepte turistëve numrin e telefonit.

Lina e nisi këtë rrugëtim duke punuar me turistët. Njohja e gjuhëve të huaja e ndihmoi të komunikonte me vizitorët që vinin nga vende të ndryshme të botës, por shumë shpejt puna do të kthehej në diçka më shumë.

Në vend të një profesioni sezonal, ajo pa një mundësi për të ndërtuar diçka të sajën.

Nga italishtja, spanjishtja, portugalishtja dhe anglishtja, Lina ka mësuar edhe fjalë e shprehje nga gjuhë të tjera, pasi çdo sezon sjell në Sarandë turistë të rinj, nga vende që ajo thotë se ndonjëherë i duhet edhe t’i kërkojë në internet për t’i identifikuar.

Por historia e saj nuk mbeti vetëm te gjuhët.

Kur u jepte turistëve emrin dhe numrin e kontaktit, ajo shkruante “Lina Boat Trips”. Një emër që në atë kohë ishte vetëm një ide, sot është biznesi i saj.

Një skaf në fillim. Dy në sezonin pasardhës. Dhe sot, më shumë turistë, më shumë angazhim dhe më shumë përgjegjësi.

Por bashkë me rritjen e aktivitetit, është rritur edhe lista e destinacioneve që Lina dhe kolegët e saj u ofrojnë turistëve.

Nga Saranda, turi nis drejt Kepit të Breshkave, vijon me ndalesa në gjire dhe plazhe të aksesueshme vetëm nga deti, për të mbërritur më pas në Kakome dhe në destinacionin kryesor, Krorëzin.

Atje turistët qëndrojnë rreth dy orë, duke shijuar plazhin, detin dhe hapësirat e zonës.

Por për Linën, pjesa më interesante e kësaj pune janë njerëzit.

Italianë, francezë, anglezë, spanjollë, brazilianë dhe turistë nga vende të largëta të botës. Disa vijnë për herë të parë, të tjerë rikthehen dhe disa prej tyre, sipas Linës, mbeten miq.

Dhe kjo histori nuk mbetet vetëm nga këndvështrimi i asaj që i pret turistët në Sarandë. Ata që vijnë këtu, e përjetojnë qytetin edhe përmes syve të tyre.

Një prej tyre është Alis, e ardhur nga Brazili, e cila këtë ditë ka zgjedhur ta zbulojë bregdetin e Sarandës nga deti.

Për turistët, një udhëtim i tillë është një mënyrë për të parë vende që nuk mund të arrihen ndryshe. Për Linën, është puna e saj, por edhe historia që ka ndërtuar vetë.

Nga një punëtore që u shërbente turistëve, në një sipërmarrëse që sot mirëpret vizitorë nga e gjithë bota.

Krahas argëtimit dhe aktiviteteve ujore, siguria në det, respektimi i rregullave të lundrimit dhe ruajtja e distancave të sigurisë janë thelbësore, veçanërisht në zonat ku mjetet lundruese afrohen pranë pushuesve.

Nga Saranda drejt Krorëzit, gjireve të Kakomesë e Rrojdhës, ishujve të Ksamilit apo më tej drejt Ftelës e Tongos, deti është kthyer në një tjetër arterie të turizmit në jug./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!