Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se 500 mijë refugjatë janë larguar nga Ukraina, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë po ikin nga vendi çdo ditë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lesia Bakalets bisedoi me disa gra dhe fëmijë që kanë ikur nga agresioni rus.
Snizhana kaloi katër ditë në rrugë, kur vendosi të largohet nga vendi i saj për t’i shpëtuar agresionit rus.
Ajo iu bashkua një autokolone 100 kilometra të gjatë dhe shumë njerëzve që ecnin anash rrugës nga Kievi në drejtim të kufirit me Poloninë.
Snizhana la vendin e saj më 25 shkurt, ndërsa tani ndodhet në Gjermani tek familjarët e saj.
“Na u desh të shkonim tek një kufi tjetër, tek ai me Sllovakinë. Kishte një autokolonë 6 kilometërshe me makina, por të paktën nuk ishte 100 kilometra”, thotë refugjatja ukrainase.
Pasi u përshëndet me bashkëshortin e saj, ajo hypi në një autobus dhe kaloi kufirin me Sllovakinë. Ndërsa burri u kthye në Kiev.
“Jemi takuar në kufi, pastaj na çuan tek një shkollë që të ngrohemi dhe të hamë diçka. Më pas disa miq të familjarëve tanë na morën dhe na çuan diku për ta kaluar natën. Pastaj vazhduam rrugën për në Gjermani”, tha ajo për Zërin e Amerikës.
Në ditën e dytë të sulmit rus, Olga gjithashtu u largua nga Ukraina, së bashku me djalin e saj një veçar Taras. Sot ata janë të sigurt në Poloni.
“Po qëndroj me motrën e burrit tim. Jemi larguar nga qyteti Irpin pasi dëgjuam bombardimet dhe luftimet në Hostomel. Dy orë pasi u larguam, tanket ruse u futën në Irpin, Bucha dhe Vorzel”, tha ajo.
Bashkëshorti i Katerina Ilchenkos, është amerikan. Për disa javë, ai dhe familja po mundoheshin ta bindnin atë të largohej nga Ukraina.
“Ju thashë se nuk do të shkoj askund. A e dini pse? Sepse nuk kisha mbaruar renovimet e banesës. Sapo ërfundova kuzhinën, por ende jo dhomën e gjumit”, thotë ajo.
Pas thirrjes së Departamentit amerikan të Shtetit për qytetarët amerikanë që të largohen nga Ukraina, Katerinës i ndryshoi mendja. Familja e saj u largua nga Kievi në një qytet perëndimor, një javë para fillimit të sulmit rus. Tani ata po planifikojnë të largohen nga vendi.
“Ne nuk jemi shumë larg sepse në fillim nuk doja të largohesha nga Ukraina. Por gjithsesi, është më mirë sesa të jesh në shtëpi, sepse një nga sulmet e para me raketa goditi lagjen tonë“, thotë ajo.
Sipas Kombeve të Bashkuara më shumë se gjysmë milioni njerëz si Katerina, Olga dhe Snizhana janë larguar nga Ukraina, ndërsa numri vazhdon të rritet.
Edhe më shumë ukrainas janë zhvendosur brenda vendit, thonë ekspertët.
“660 mijë persona janë zhvendosur në vende të tjera, ndërsa 1.5 milionë njerëz janë zhvendosur brenda Ukrainës. Pra, gjithsej 2.2 milionë, opse 4 për qind e popullsisë. Kjo është domethënëse”, tha Franck Duvell nga Instituti Ndërkombëtar i Migracionit.
Kjo ka shkaktuar një krizë të re refugjatësh në Evropë.
“Pa asnjë lloj mbrojtjeje ajrore, pamundësia e mbështetësve të Ukrainës dhe ushtrisë ukrainase për të penguar raketat ruse, do të argumentoja se skenari më i keq është nëse kemi 2-5 milionë refugjatë nga 44 milionë banorët e Ukrainës”, tha Cynthia Buckley, Profesore e Sociologjisë.
Por ukrainasit që folën për Zërin e Amerikës thonë se nuk e duan statusin e refugjatit dhe do të kthehen në shtëpi.
“Frika më e madhe është që kur të kthehem në Kiev ndoshta nuk do ta njoh qytetin. Nga ajo që kam parë, dëmet janë të dukshme. Por si do që të jetë e dua qytetin tim. Do të kthehem në Kiev, të hapë derën e banesës sime. Dhe do të përfundoj rinovimin e dhomës së gjumit”, thotë Katerina./VOA