Rrugëtimi fenomenal i Wolverhampton, 7 vite të pabesueshme!

schedule19:56 - 3 Janar, 2020

schedule 19:56 - 3 Janar, 2020

Data 12 shkurt, 2012, ishte një nga ditët më të errëta në historinë e klubit të Wolverhampton. Pikërisht në këtë datë, “Ujqërit” humbën takimin kundër rivalëve të përjetshëm të West Bromwich me rezultatin e thellë 5-1, duke rënë në zonën e ftohtë të renditjes. Pak javë më vonë, trajneri McCarthy u shkarkua, ndërsa Wolverhampton, ra nga kategoria, duke i thënë lamtumirë Premier Ligës dhe duke zbritur në Championship.

Kur mendohej se “Ujqërit” do të ngrinin kokë dhe do të ngjiteshin sërish në Premier Ligë, makthi vazhdoi, pasi ranë sërish nga Kategoria, duke u rrëzuar në League One, liga e tretë angleze. Pas shumë trajnerësh të ndërruar, Wolves ia arriti që të rikthehej në Championship, me një rekord pikësh (103).

Momenti më kritik i historisë së Wolverhampton, erdhi në vitin 2016, kur u ndërruar presidenca. Në krye të klubit, erdhi “Fosun International”, një kompani kineze. Kjo kompani, kishte marrëdhënie të shkëlqyera me agjentin e famshëm, Jorge Mendes, dhe pikërisht këtu, nisi një histori e jashtëzakonshme. Mendes mori kontrollin, solli në “Molineuax Stadium” disa talente të pabesueshëm portugez, me emrin më të madh, Ruben Neves. I dalë nga Akademia e Portos, mesfushori ishte gati të shpërthente dhe pikërisht këtë gjë bëri.

Përveç Neves, që ishte shtylla e ekipit, Diogo Jota, Leo Bonatini dhe Benik Afobe ishin disa nga afrimet e para. Presidenca vazhdoi të investojë, duke marrë dhe dy lojtarë të tjerë të talentuar, të cilët i zgjodhi po ashtu Mendess. Portugezi Helder Costa dhe Ivan Cavaliero iu bashkuan “Ujqërve” atë sezon.

Trajner? Një “ish” i Portos dhe i Valencias, Nuno Espirito Santo, një emër që po adhurohet nga tifozët. Pas gjithë këtyre lëvizjeve, “Ujqërit” dominuan në Championship, duke dhuruar spektakël dhe duke u shpallur kampionë të Ligës së Dytë angleze, pa e vënë asnjëherë në diskutim vendin e parë (99 pikë, 9 më shumë se vendi i dytë).

Sezonin e shkuar, Wolverhampton u rikthye në Premier Ligë pas 8 viteve mungesë. Mendohej se do të vuanin në elitën e futbollit anglez dhe do të luftonin për mbijetesë, por Jorge Mendes ndërhyri sërish, duke marrë tre lojtarë të shkëlqyer në skuadër. I pari, mbrojtësi spanjoll, Jonny Castro nga Celta Vigo, një lojtar shumë cilësor dhe shumë punëtor në krahun e majtë. Si i huazuar fillimisht, erdhi sulmuesi Raul Jimenez nga Benfica: Një vrasës para porte, goleador i lindur! Në janar, Wolves siguruan kartonin e plotë të tij, duke e bërë blerjen më të shtrenjtë në historinë e klubit.

Ndërsa për mesfushën, në krah të Ruben Neves, u afrua një tjetër portugez: Kampion Europe dhe Kampion në Francë me Monacon, Joao Moutinho, një lojtar që nuk ka shumë nevojë për prezantim. Eksperiencë, luftarak dhe i palodhur, veterani ishte një nga blerjet e sezonit në kampionatin anglez.

Skuadra ishte e kompletuar dhe Nuno Espirito Santo rreshtoi ekipin në fushë për sezonin e ri. Shumë vështirësi rrugës, por Wolves vazhdoi të mrekullojë ishullin anglez, me paraqitje të shkëlqyera. Në fundin e sezonit? Vendi i shtatë në Premier League, kualifikim në Europa League! Historike, për një ekip që vetëm 5 vite më parë luante në divizionin e tretë anglez./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!