Nga emisioni Vetting
Ka pak vende në botë të ngjashme me Shqipërinë, në të cilat ndesh kaq shumë makina luksoze në rrugë.
Shumë prej këtyre automjeteve që shohim në rrugë, e kalojnë shifrën 100 mijë eurove. Nëse i referohemi këtij standardi çmimesh, do të duhej që Shqipëria të ishte në listën e vendeve më të pasura në botë.
Por jo, në fakt Shqipëria është në listën e vendeve më të varfra në botë. Paradoksalisht në rrugët e Shqiperisë gjen makina kaq luksoze.
Se cili është burimi i të ardhurave për këtë standard çmimesh, jo vetëm të automjeteve, banesave, resorteve etj, do të duhej të ishim qartësuar nga institucionet e drejtësisë.
Shumica prej nesh jemi përballur me tabelën e policisë rrugore, gjatë drejtimit të automjetit. Ndodh të jemi vënë në situata të vështira kur fëmija qan nga frika e policit i cili sillet me ashpërsi, si të ishte përballë një krimineli.
Policia ka të drejtë të ndalojë çdo qytetar për dyshimin më të vogël por ka edhe detyrimin të sillet koreket bazuar në ligj. Ndodh rëndom kur polici sillet me arrogancë e fyerje ndaj qytetarëve për shkelje të supozuara apo për shkelje minimale.
Fuqia e ligjit e në forcën më të ashpër deri në arrogancë, përplaset pikërisht tek ne njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Por nuk ndodh shpesh që kjo arrogancë, qoftë zbatim i ligjit të aplikohet me drejtuesit e këtyre automjeteve luksoze të cilat i ndeshim çdo ditë rrugëve të Shqipërisë.
Policia nuk guxon ti shqetësojë ata tek na parakalojnë. Këta njerëz të veshur me pushtet na kërcënojnë çdo ditë jetën e fëmijëve nëpër rrugët e Shqipërisë dhe policia e shtetit nuk është në gjendje të na mbrojë prej tyre.
I tillë ishte rasti i fundit, aksidenti në Rrugën e Kavajës kur çifti Konomi po ecte në vijat e bardha dhe automjeti luksoz i mori përpara bashkë me karrocën e bebes së tyre 3 muajshe.
Pas aksidentit, Policia rrugore publikoi njoftimin ku sqarohen të dhëna për autorin e aksidentit.
Tiranë/Informacion shtesë
Në lidhje me aksidentin e ndodhur në Rrugën e Kavajës, ku një automjet me targa të huaja aksidentoi një çift dhe fëmijën e tyre të vogël, dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes, ju informojmë se:
Pas një pune intensive hetimore, u bë i mundur lokalizimi i shtetasit A. S., në një spital privat, dhe më pas shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe arrestimi i tij.
Drejtuesi i automjetit me targa të huaja, shtetasi me iniciale A. S., 39 vjeç, i dyshuar si autori që shkaktoi aksidentin me këmbësorët, në Rrugën e Kavajës, është ndëshkuar 8 herë nga efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit.
Gjithashtu, ky shtetas është ndëshkuar disa herë, me bllokues gomash, për shkak të parkimeve në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në rrugët e kryeqytetit.
Po ky shtetas është shoqëruar tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në
Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ekziston një sistem i pikëzimit të patentave që supozohet që për shkelje të rënda të ulen pikët deri në heqjen e patentave. Me sa duket tetë shkeljet e rënda të personit në fjalë, nuk janë reflektuar në këtë sistem.
Personi në fjalë ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar ndërsa policia na thotë se e paska ndaluar tetë herë brenda pak kohësh për shkelje të ndryshme.
Duket paradoksale si procedurë sepse të paktën një nga këto tetë here do të duhej të ishte konstatuar nga policia se ky persona me rekorde kriminale, kërkohej nga drejtësia angleze.
Nuk dihet ende se për cilat arsye ky person nuk është ndalur nga policia dhe ti dorëzohet drejtësisë së vendeve ku është shpallur në kërkim.
Rreth një vit më parë, një i ri në timonin e një makine luksoze, kapërceu rrugën dhe hyri në trotuar duke aksidentuar një vajzë. Ajo mbeti pa njërën këmbë, ndërsa autori i aksidentit është sot në gjendje të lirë.
Janë me qindra ndoshta mijëra, aksidentet rrugore kur automjete të drejtuar nga adoleshentë, nga personazhe të botës së krimit, bij zyrtarësh a biznesmenëh që kanë lënë rrugëve viktima
qytetarë të pafajshëm apo të plagosur rëndë, të cilët sot vuajnë pasoja të parikuperueshme shëndetësore.
Do të sjellim në vëmendjen e publikut një histori dramatike të aksidenteve të ngjashme.
Gjashtë vite më parë, një qytetar me emrin Ervis Muça po kalonte rrugën për tu drejtuar në hyrjen e banesës së tij kur një automjet e mori përpara duke e përplasur në beton.
Për shkak të aksidentit, Ervisi mbeti me pasoja të pariparueshme për shëndetin dhe sot është invalid.
Prej asaj kohe, Ervisi është i paaftë për punë dhe merr një pagesë kempi prej vetëm 11 mijë lekësh.
Familja e tij jeton me vështirësi ekonomike ndërsa kompania e sigurimeve, nuk ka shlyer detyrimet që i takojnë për përmasën reale të dëmeve që i kishte lënë aksidenti.
Familja e Ervisit është dëmshpërblyer për aksidentin në masën 20% ndërsa pjesën tjetër kompania ka refuzuar ta shlyej. Bashkëshortja e Ervisit, Rudina endet dyrve të institucioneve pa gjetur zgjidhje dhe kërcënohet në emër të kompanisë duke i bërë presion për të mos kërkuar shumën e mbetur.
Ajo ka denoncuar shpesh në institucionet shtetërore por nuk ka gjetur kurrë mbështetje
E braktisur nga institucionet shtetërore, Rudina është në përpjekjen e përditshme për të siguruar jetesën për familjen.
Por çfarë e bën më të dhimbshme historinë e saj është shëndeti i të birit. Djali i saj 7-vjeçar vuan nga një sëmundje në veshka prej së cilës i nevojitet mjekim periodik dhe shumë i kushtueshëm.
Si rasti i bashkëshortit të Rudinës janë me dhjetëra apo qindra.
Njerëz që gjejnë belanë në rrugë e trotuare, të aksidentuar nga persona të papërgjegjshëm të cilët lëvizin të lirë rrugëve të Shqipërisë duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Siç shihen në tabelë, shifrat e aksidenteve rrugore ndër vite janë alarmante.
Vetëm gjatë vitit 2021 në aksidentet rrugore humbën jetën 197 persona. Përveç papërgjegjshmërisë së drejtuesve të automjeteve, janë një sërë faktorësh të tjerë që rrisin numrin e aksidenteve rrugore në Shqipëri.
Gazetarët e Vetting kanë kryer një vëzhgim në rrugën Tiranë-Shkodër për të parë nga afër probelmatikat.
Pjesa me e madhe e gjatësisë së këtij segmenti, përshkohet nga vija e bardha te pandërprera dhe shpejtësia e lejuar në shumicën e gjatësisë është 50-60 km në orë. Kjo detyron shoferët që të bëjnë parakalim te detyruar, madje në një pjesë të madhe të kësaj rruge janë të vendosura postblloqe policore që pas çdo parakalimi të gabuar vendosin gjoba.
Gjatë xhirimeve në terren, janë kosntatuar problematika edhe të shkeljeve nga ekipet e policisë rrugore që janë aty pikërisht për të diktuar respektimin e kodit rrugor.
Siç duket nga pamjet, polici rrugor ndalon automjetin në mënyrë flagrante duke rrezikuar aksident. Polici ndaloi automjetin në mes të karrexhatës për ta gjobitur dhe jo në vendet ku lejohet ndalimi i automjeteve.
Gjatë vëzhgimit, tek rrethrrotullimi i Velipojës, kamera kapi një tjetër moment që për pak sa nuk rezultoi fatal, ku një automjeti të tonazhit të rëndë i pritet rruga nga një automjet tjetër.
Në segmentin Tiranë-Shkodër, ndërpritet nga 820 rrugë dytësore. Në rreh 98 km gjenden vetëm dy mbikalime këmbësorësh, një në fshatin Plezhë pranë Shkodrës dhe tjetri në Rraboshtë të Lezhës.
Në mungesë të mbikalimeve këmbësorët janë të detyruar të kalojnë rrugën duke u bërë burim aksidenti.
Këta fëmijë të fshatit Mabë në Lezhë, duhet të kalojnë çdo ditë në këtë segment për të shkuar në shkollë. Siç e shihni hapësira që kanë në dispozicion është e pamjaftueshme dhe ata janë çdo ditë të rrezikuar nga aksidentet rrugore. Siç e shihni, një kamion i tonazhit të rëndë kalon rrugën me shpejtësi duke rrezikuar fëmijët.
Gjatë këtij udhëtimi, vihet re prania e një numri të pazakontë lapidarësh, ose shenjash që tregojnë se aty ka ndodhur një aksident me pasojë vdekjen. Sepse rruga Tiranë Shkodër, është një ndër segmentet ku ndodhin më së shumti aksidente, shpesh me pasojë vdekjen. Së fundmi, një aksident i mori jetën dy turistëve polakë të cilët po udhëtonin me motor në Kryebushat.
Një automjet iu preU rrugën duke i lënë pa jetë. Sepse rruga Tiranë Shkodër është ndër segmentet më problematike sa i përket kushteve teknike.
Rruga Tiranë Shkodër, është një rrugë me dy kalime, e ngushtë dhe pa trafik ndarëse në shumicën e gjatësisë së saj.
820 rrugët dytësore që ndërpresin karrexhatën, janë ndër shkaqet kryesorë për numrin e lartë të aksidenteve në këtë segment.
Megjithatë, eksperti i sigurisë rrugore, Gëzim Hoxha, është i prirur që përgjegjësinë për për aksidentet, t’ia kalojë shoferëve.
Por me sa duket eksperti Hoxha nuk merr parasysh të drejtën që kodi rrugor i jep çdo drejtuesi automjeti për të parakaluar.
Është kaq e dukshme që rruga Tiranë Shkodër është me parametra që stimulojnë aksidentet por nuk ndodh asnjëherë që pas një aksidenti, qoftë në këtë rrugë a ne të tjera, institucionet të kërkojnë shkaqet tek kushtet teknike të rrugës apo tek sinjalistika.
Ky segment rrugor, lidh veriun me pjesën tjetër të Shqipërisë, lidh Shqipërinë me Kosovën, lidh gjithashtu Shqipërinë me malin e zi. Intensiteti I lëvizjes së automjeteve në këtë rrugë është shumë herë më i lartë se kapaciteti i saj. Ekspertët flasin për mbipopullimin e rrugës por edhe për problematikat e tjera të saj.
Distanca Tiranë-Shkodër është 98 kilometra. Kjo rrugë është ndërtuar rreth 20 vite me parë. Qeveritë njëra pas tjetrës nuk e patën kurrë në planet e tyre të zhvillimit.
Megjithëse është në një terren fushor që kërkon shumë më pak investime se rrugët e tjera, pra nuk ka male për të çarë e tunele për të hapur, ky segment ka mbetur në standardet e një rruge dytësore edhe pse ka një instensistet shumë të lartë të lëvizjes së automjeteve të tonazheve të ndryshme.
Veç faktit se në më shumë se 20 vjet nuk është investuar për ta kthyer në një rrugë me standardët e nevojshme, mungon edhe mirëmbajta e saj. siç duket rruga është e mbushur me gropa.
Drejtuesit e automjeteve përpiqen ti shmangin gropat duke u bërë shpesh burim aksidenti.
Sipas Meçes sinjalistika në rrugën tiranë shkodër por edhe të tjera, është vrastare.
Ai sugjeron që janë me dhjetëra tabelat që do të duhej të zhdukeshin nga rrugët e Shqipërisë.
Eksperti i sigurisë rrugore, Fatmir Hasho rendit problematikat që sipas tij ndikojnë në numrin e lartë të aksidenteve në këtë segment.
Përveç kushteve teknike të pafavorshme, sinjalistikës së gabuar që i shtohet padyshim edhe gabimi njerëzor, rruga Tiranë-Shkodër si dhe të tjera të ngjashme, apo edhe brenda qyteteve, kanë një tjetër problematikë që lidhet me tabelat reklamuese.
Sipas kodit rrugor, një banderolë e tillë mund të vendoset në një distancë jo më pak se 50 metër larg rrugës. Gazetarët e Vetting kanë bërë matjet për disa prej tyre për të parë se sa është respektuar kodi rrugor.
Një ndër banderolat e vendosura në rrugë është edhe ajo që propagandon këshillimin kombëtar. Një nismë e kryeministrit dhe mazhorancës për të thirrur popullin në bashkëqeverisje.
Tabela ndodhet në segemtin Laç-Tiranë, dhe vendoset vetëm 9.9 metra larg karrexhatës. Tabela ka një sipërfaqe prej rreth 30 metrash dhe është mjaft e dukshme për drejtuesit e automjeteve.
Pra kjo tabelë dhe të tjera si kjo nuk janë vendosur për tu parë nga banorët e zonës por për të rënë në sy të drejtuesve të automjeteve. Tabela e këshillimit kombëtar ka thyer kodin rrugor me 40 metra sepse do të duhej të ishte 50 metra larg rrugës. Shumica e tabelave ka një distancë nga rruga 5-10 metra. Problematika me tabelat është në çdo segment, madje edhe brenda qyteteve.
Ekspertët tërheqin vëmendjen për hapat që duhen marrë nga institucionet e linjës për uljen e aksidenteve rrugore. Ata kanë këndvështrime të ndryshme si për përgjegjësit e aksidentëve ashtu edhe për masat që duhen marrë për uljen e numrit të aksidenteve.
Siç vërejnë ekspertët, një ndër arsyet kryesore të aksidenteve janë standardet teknike të rrugëve, dhe është fjala për akse kombëtare si ai Shkodër-Tiranë.
Kjo rrugë e të tjera të ngjashme nuk duket të jenë pjesë e planeve të qeverisë ashtu siç nuk ishin as të qeverive të mëparshme.
Investimet për ndërtimin apo përmirësimin e rrugëve gjatë 10 viteve të fundit janë në nivele shumë më të ulëta krahasuar me investime të tjera të tipit, inceneratorë, pedonale qytetesh të vogla, apo projekte të tjera që qeveria i konsideron strategjike.
Për çdo qeveri nuk mund të ketë prioritet më të rëndësishëm se sa siguria e jetës së qytetarëve dhe në fakt rrugët pa standarde të Shqipërisë e kërcënojnë seriozisht./ABCNEWS.AL/