Rrugë e gjatë për Ukrainën drejt BE, përballet me negociata të vështira

schedule15:45 - 25 Qershor, 2024

schedule 15:45 - 25 Qershor, 2024

Ukraina përballet me negociata të vështira në rrugën drejt BE. Ligjet, sistemi juridik dhe ekonomia duhet të përshtaten. Akt i vështirë në mes të luftës, por mbi të cilin mbështeten shumë shpresa.

Kujt do t’ia kishte marrë mendja? Kur Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE, vetëm katër ditë pas fillimit të luftës së agresionit rus, Ukraina, me kryeqytetin pothuajse të rrethuar nga trupat ruse, shpesh merrte vetëm një buzëqeshje keqardhjeje.

Por tani ka ardhur vërtet koha. Sot nisin zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me BE. Presidenti Volodymyr Zelensky ndjehet i lehtësuar: “Kjo është një javë vërtet historike. Ukraina ka ecur drejt kësaj për një dekadë. Ky është rezultati personal i të gjithë atyre që votuan për Ukrainën më 24 shkurt, që luftojnë për vendin tonë, që forcojnë Ukrainën”.

Polonia dëshiron të ndajë përvojat

Dhe Ukrainës do t’i duhet fuqi për vite. Askush nuk e di saktësisht se sa kohë do të zgjasë procesi i anëtarësimit. Vetëm një gjë është e qartë: do të jetë një rrugë e gjatë, thotë Adam Szlapka, ministër polak për çështjet e BE.

Polonia është e gatshme të ndajë përvojën e saj me Ukrainën, deklaroi Szlapka javën e kaluar në Kiev: “Procesi është shumë i vështirë dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm që kemi. Ukraina duhet të punojë shumë dhe të reformojë vërtet vendin, ta përgatisë atë për rregulloret evropiane.”

Përshtatje me standardet evropiane

Kolegia e tij ukrainase Olha Stefanischyna nuk ka iluzione. Për t’u bërë realisht pjesë e familjes evropiane, Ukraina ka ende shumë për të bërë, thotë ministrja e Integrimeve Evropiane.

Legjislacioni, sistemi ligjor, ekonomia – të gjitha këto Ukraina duhet t’i përshtatë me standardet evropiane. Një përpjekje e mundimshme në mes të luftës. Megjithatë, Ukraina është tashmë në rrugë të mbarë, tha Stefanishyna për mediat ukrainase.

“Ne kemi liberalizuar tashmë tregtinë, kemi akses në tregun e punës të BE, kemi hequr vizat dhe doganat janë thjeshtuar. Ukraina është pjesë e tregut evropian të energjisë.” Janë procese shumë komplekse që tashmë janë adresuar.

Vite negociatash të vështira

E megjithatë ka skepticizëm. Korrupsioni, lufta dhe, jo më pak, konflikti që përvijohet me fermerët polakë. Anna Lührmann, Sekretarja e Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, sheh përparim në anën ukrainase, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. Edhe BE gjithashtu duhet të ndryshojë tani, kërkon politikania e Gjelbër.

“Ne duhet të reformojmë veten si BE paralelisht me procesin e zgjerimit dhe në disa fusha”, thotë Lührmann-i. “Së pari, duhet të sigurohemi që rregullat në bazë të të cilave punojmë së bashku janë vërtet të përshtatshme për një Union prej 35 ose më shumë shtetesh anëtare.” Nevojiten më pak veto dhe vlerat duhet të mbrohen më mirë, “dmth të zgjerohen instrumentet për mbrojtjen e sundimit të ligjit”.

Dhe duhet vrarë mendja si të arrihet në fusha të ndryshme, si në politikën bujqësore dhe politikën sociale, në një BE më të madh. “Duhet të mendojmë se si mund t’i riorganizojmë instrumentet dhe në të njëjtën kohë t’i marrim të gjithë me vete”.

Ukraina do të përballet me vite të tëra negociatash të vështira. Megjithatë, shumë njerëz e mbështesin rrugën drejt BE dhe shpresojnë për reforma. /DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!