“Rruga e Kombit”, koncensionari tejkalon parashikimet për të ardhurat, por nuk investon as gjysmën

schedule12:01 - 30 Dhjetor, 2019

schedule 12:01 - 30 Dhjetor, 2019

“Albanian Highway Concesion”, kompania që ka kontratën e koncesisonit për Rrugën e Kombit ka arritur që vetëm në 9 muajt të këtij viti të arkëtojë nga tarifa e kalimit në rrugë 6 për qind më shumë të ardhura se plani i saj vjetor.

Referuar të dhënave që raportoi Ministria e Financave dhe Ekonomise mbi ecurinë e kontratave koncesionare, rezulton që në janar-shtator kjo kompani të ketë arktuar mbi 1.4 miliardë lekë në një kohë që parashikimi për të gjithë vitin ishte 1.3 miliardë lekë. Kontrata funksionon sipas skemës së mbështetjes buxhetore, pra koncesionarit i paguhen para nga qeveria në rast se nuk arrihet trafiku i parashikuar.

“Meqënëse kjo kontratë koncesionare/PPP është pjesërisht me mbështetje buxhetore, në tabelën 1 janë dhënë vlerat e pagesave nga buxheti i shtetit të realizuara për vitin 2018 dhe të planifikuara për vitet 2019-2021.

Për 9-mujorin e vitit 2019, financimi nga buxheti i shtetit ka qënë në vlerën 315.6 milion lekë, me një realizim prej 46.1 përqind nga plani vjetor 2019 prej 685 milion lekë” thuhet në raportimin e Financave.

Por teksa ecuria e arkëtimeve nga tarifa e kalimit në rrugë ka qenë pozitive dhe po ashtu edhe nga buxheti ka pasur mbështetje, koncesionari nuk ka arritur të realizojë planin e parashikuar të investimit për vitin aktual ndryshe nga sa ishte në vitin 2018 kur kompania pati vitin e parë të konceisonit dhe vendosi sheshet e pagesës.

Kështu sipas të dhënave zyrtare për vitin 2018, vlera e investimit e realizuar ka rezultuar rreth 17 përqind më e madhe se sa ajo e parashikuar.

Ndërsa për 9-mujorin e vitit 2019 raportohet se vlera e punimeve të kryera nga shoqëria ka qenë 1,04 miliardë lekë ose 48 përqind e totalit vjetor të planifikuar në vlerën e 2.16 miliard lekëve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë raporton se “aktualisht kompania vazhdon të realizojë në mënyrë të pandërprerë punimet e mirëmbajtjes së autostradës “Milot-Morinë”, ka kryer punime përmirësuese përgjatë kësaj autostrade, ka përmirësuar dhe rritur nivelin e sigurisë në Tunelin e Thirrës, ka realizuar mirëmbajtjen dimërore dhe ka rehabilituar elementë të autostradës.

Sipas raportimeve, gjatë zbatimit të kësaj kontrate nuk ka patur kapërcim të afateve kontraktuale nga ana e shoqërisë koncesionare dhe si rezultat nuk janë aplikuar penalitete”.

Sipas raportit, në vitin 2018, për shkak të kundërshtimeve mbi tarifën e rrugës nga përdoruesit e rrugës si dhe nga banorët e qytetit të Kukësit, Sheshi i Pagesës (Toll Plaza) qëndroi për 6 muaj jashtë funksionit. Megjithatë, për muajt operativ të ardhurat ishin më të larta se ato të parashikuara.

Nga rakordimi vjetor për vitin 2018 raportohet se niveli i të ardhurave faktike ka rezultuar më i lartë se minimumi i të ardhurave të garantuara nga trafiku, si rrjedhojënë bazë të kontratës nga ky suficit i të ardhurave të realizuara Autoriteti Kontraktues ka patur përfitimi duke bërë ndarjen e këtij suficiti me Shoqërinë koncesionare në raportin 60:40.

Autoriteti Kontraktor ka raportuar në lidhje me risqet e kontratës sipas formatit të përcaktuar, duke specifikuar përcaktimin e palës që merr përsipër riskun, impaktin fiskal nëse është materializuar, probabilitetin e ndodhjes në të ardhmen dhe impaktin e pritshëm nëse ndodh.

Kështu nga 12 risqe të identifikuara, Autoriteti Kontraktues ka mbajtur 3 risqe: riskun politik, riskun e qeverisjes dhe riskun e ndryshimeve ligjore, ndërsa tek Partneri Privat janë transferuar risku i ndërtimit, risku i transferimit të aseteve, risku i operimit dhe performancës dhe risku i ribalancimit të ekuilibrit financiar.

Ndërkohë, risku i kërkesës, risku financiar, risku i forcës madhore, risku i rinegocimit dhe risku i ndërprerjes së kontratës janë ndarë mes palës private dhe publike.

Koncesioni “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë”u dha për një afat 30 vjeçar nga Ministria e Infastrukturës dhe Energjisë sipas një kontrate që nisi nga 9 marsi 2017 me një plan investimi 5.3 miliardë lekë.

Kompania “Albanian Highway Concession Company” që është edhe mbajtëse e këtij koncesioni u themelua në 26 dhjetor 2016 dhe u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 27 dhjetor 2016.

Kapitali i fillestar rezulton 319 milionë lekë, ndëkrohë që kuotat zotërohen në masën 50 për qind secili nga Kastrati Group dhe Salillari.

Sipas raportit të financave, nëpërmjet këtij projekti është synuar zgjidhja e një problemi të rëndësishëm përsa i përket mirëmbajtjes në tërësi të një aksi rrugor kombëtar i cili kërkon fonde të konsiderueshme për t’u mirëmbajtur për shkak të terrenit malor dhe dimrit të ashpër me rreshje, si dhe kostove të konsiderueshme të mirëmbajtjes dhe operimit të Tuneleve të Thirrës.

Partneri privat është përgjegjës gjatë periudhës së koncesionit për ndërtimin dhe operimin e autostradës, mirëmbatjen dhe operimin e tunelit të Thirrës, operimin e një sistemi të tarifës së rrugës dhe mbledhjes së të ardhurave nga tarifa e rrugës./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!