“Rrogat” dhe “patentat”, Spartak Ngjela zbulon mesazhin dhe kërkon dorëheqjen e Ramës

schedule16:38 - 27 Dhjetor, 2021

schedule 16:38 - 27 Dhjetor, 2021

Avokati Spartak Ngjela deklaroi se kryeministrit Edi Rama i kanë vjedhur shtetin dhe duhet të jepte dorëheqjen që sipas tij është forcë dhe jo dobësi. Duke komentuar skandalin me të dhënat në emisionin “Pikat mbi i”, Ngjela tha se Rama ka humbur garancinë e individit. Fakti që kërkon të falur, sipas tij, thotë që nuk e ka bërë detyrën.

Ndërkohë analisti Artur Zheji shpjegoi dy hipoteza se si mund të jenë nxjerrë të dhënat.

Ngjela: Dorëheqja është forcë nuk është dobësi se thotë unë nuk kam gisht me këtë që kam ndodhur. Ç’do të thotë faj, ti nuk iu ke dhënë garanci njerëzve. Është humbja e garancisë së individit. Çfarë mendoni se ka kryeministri si devizë, të mbrojë garancinë time. Këtij i kanë grabitur shtetin. Nuk ndodh asgjë dhe po dha dorëheqjen. Nuk e mbron Rama shtetin. Pse ra Rama, bie struktura e shtetit? Po Rama është në një situatë të rëndë sociale, jep dorëheqjen dhe shikon ta stabilizojë hap pas hapi. Por duhet të japë dorëheqjen.

Problemi ishte që këtij i morën shtetit, si, qysh, kush, ato i zgjidh drejtësia. Po këtij i morën shtetin në pikën më të nxehtë të tij. Ç’faj kanë njerëzit që nuk ke ditur të mbrosh personalitetin e tyre. Fakti që i kërkon të falur i thotë që nuk kam bërë detyrën. Nëse s’ke bërë detyrën, ik thyej qafën. Por ne nuk kemi institucion dorëheqjen. Nuk njihet dorëheqja këtu. Deri tani ka dhënë vetëm Nano. Për këta të tjerët dorëheqja është veprimtari armiqësore.

Ekspertët që kam pyetur unë më kanë thënë që nuk janë haker, janë punonjës të brendshëm sepse i kanë marrë segmente-segmente. Ata më thanë që nuk janë hakera. Por edhe po të ishin hakera, ti duhet të kesh një mbrojtje të madhe të IT-së. Me sa më thanë ekspertët ky e ka të nivelit të lartë IT-në. Dhe këta kanë filluar të hetojnë punonjësit. Varet se çfarë niveli të lartë ka hetimi, po ka ndihmë nga perëndimi e arrin.

E mori Prokuroria e Tiranës se krimi është bërë në Tiranë. Është vendndodhja e krimit. Ata e filluan këtu, për mendimin tim duhet ta kishin çuar në SPAK. E çuan këtu sepse nuk ka të akuzuar të lartë. SPAK-u nuk e merr dot kryesisht, por nëse iu del ndonjë ministër nën hetim, shkon në SPAK.

Zheji: Jemi në fazën e hipotezave, nuk kemi prova. Fakti që hetimin e ka marrë në dorë Elisabeta Imeraj që ka qenë goxha e kontestuar dhe nga opozita, ajo ndoshta këtë patate të nxehtë mund ta menaxhojë. Ndoshta e ka dhe test. Fakti që janë punonjës të brendshëm dhe kjo është një nga hipotezat dhe jo një sulm hakërrimi nga jashtë. Diversionet më parë bëheshin fizikantë, tani virtualisht. Siç u akuzua Trump shumë herë se shumë nga sulmet kibernetike në fushatë kundër Hilary Clinton u bënë nga Rusia. Po të jetë nga jashtë, mendoj që Shqipëria nuk përbën një oreks kaq të madh. Për destabilizimin, Shqipëria mbrohet dhe nga NATO. Këto janë shumë të komplikuara, nuk e bën dot një haker amator.

Një variant tjetër, forca të brendshme që i kanë këto aksese, ose i kanë shitur këto të dhëna, ose i kanë përdorur kundër Ramës. Mund të jenë konkurrentë të Ramës, me njerëz të emëruar prej tyre që bëjnë një gjullurdi.

Për avokatin Spartak Ngjela publikimi i të pagave të qytetarëve shqiptarë dhe rrjedhja e informacionit me të dhënat e tjera e ndihmon antikorrupsionin. Ngjela mohoi kategorikisht që informacione të tilla të jenë publikuar nga opozita pasi ajo është e goditur po ashtu.

“Kur të fillojnë arrestimet, ai që ka fitimet e mëdha nuk mbrohet dot. Nuk e kam të konsoliduar si mendim, por jemi në gjykim apriori. Nëse do e dëmtonte antikorrupsionin e kanë ndërmarrë vetë ata. Mendimi im është që e ndihmon antikorrupsionin pasi ka dalë transparenca. Këtë do ta shikojmë edhe me ekspertë. Destabilizimi duhet të vijë nga opozita. Por opozita është goditur më shumë nga kjo. Si qenka kjo punë? Nuk e ka bërë njëri krah se janë të dy të goditur. Ajo që më duket e afërt është që antikorrupsioni i ka këto. Ai i ka nxjerrë? Nuk di ta them”- u shpreh ai.

Nga ana tjetër për analistin Artur Zheji kjo është një mundësi që shqiptarët të shikojnë dhe të bëjnë diferencën pasi ka paga që kalojnë normalen duke  përdorur një sistem për pastrim parash.

Padiskutim që ndihmohet antikorrupsioni. Tani shqiptarët kanë një mundësi të bëjnë diferencës që shumë gjëra që bëhen edhe paguhen. Thënë kjo ka edhe një mekanizëm gjigand nga pagat që i kalojnë normalen që janë sisteme për pastrimin e parave.  Ka kaq shumë lëndë në duart e prokurorisë dhe SPAK duhet të thithë një pjesë të madhe të këtyre informacioneve”- u shpreh ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!