Rrobaqepësja e veshjeve popullore/ Xhesila Islami, e vetmja që qep të tilla veshje në Sarandë

schedule20:24 - 23 Nëntor, 2024

schedule 20:24 - 23 Nëntor, 2024

Xhesila Islami është rrobaqepësja e vetme e kostumeve popullore në Sarandë.

Qysh në vegjëli ajo u mësua me zanatin e rrobaqepëses pasi shikonte dajat dhe tezet e saj që punonin me makinën qepëse.

Fillimisht Xhesilës i dukej e lodhshme, por më pas filloj të apasionohej pas qepjes, derisa filloi edhe një arsim profesional për ta mësuar më mirë makinën qepëse.

Që prej moshës 17 vjeç Xhesila vetëm ka qepur veshje dhe i ka riparuar ato në rrobaqepësine e saj modeste.

Pasioni i saj mori kthesë 5 vite më parë, kur një e njohur në diasporë i kërkoi të qepte 60 kostume popullore të trevave të ndryshme për fëmijë.

Xhesila kujton një punë kolosale prej dy muajsh që përfshiu të gjithë familjen e saj, me netë pa gjumë, frikë e pasiguri. Pasi ia doli t’i dorëzonte me sukses, Xhesila zbuloj te vetja se kënaqësine e gjente në punime të tilla.

Në rrobaqepësi e takojmë duke qepur të tjera kostume popullore, që tani i qep me vetëbesim dhe i marrin më pak kohë, por sërish me familjen e saj që e mbështet dhe i përfshihet në punë.

Ëndrra në sirtar e Xhesilës është hapja e një dyqani me punime të kostumeve popullore të trevave shqiptare./abcnews.al