Mediat sociale mund të jenë shumë të dobishme në zbutjen e mërzisë, por në të njëjtën kohë, ato mund të bllokojnë kreativitetin dhe mundësinë e zbulimit të pasioneve të reja sepse kërkojnë shumë kohë dhe shumë energji, sipas një studimi të koordinuar nga ”Trinity College Dublin”.
Studimi tregon se mërzia mund të jetë një gjë shumë pozitive dhe se mund të jetë e dobishme të bëhen periudha të detoksifikimit dixhital, i ashtuquajturi ‘detoks dixhital’. Të dhënat u mblodhën mes 15 pjesëmarrësve në Britaninë e Madhe dhe Irlandë midis viteve 2020 dhe 2021, në kulmin e pandemisë Covid-19, dhe tregojnë se bllokimi, pezullimi i aktiviteteve të punës dhe vetmia e detyruar u kanë ofruar shumë njerëzve gjërat e rralla, si mundësinë për të përjetuar dy nivelet e mërzisë, atë sipërfaqësor dhe atë të thellë, të identifikuara nga filozofi gjerman Martin Heidegger.
”Mërzia sipërfaqësore, më e zakonshme, mund të përkufizohet si ndjenja e shqetësimit, e njohur për shumëkënd, e cila na shtyn të kërkojmë shpërqendrime të përkohshme nga jeta e përditshme: në këtë fushë, media sociale dhe telefonat inteligjentë luajnë një rol themelor”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, mërzia e thellë rrjedh nga bollëku i kohës së pandërprerë të kaluar në vetminë relative dhe, sipas Heidegger-it, ”mund të hapë rrugën për mendime dhe aktivitete më krijuese”.
“Mërzia mund të duket si një koncept jashtëzakonisht negativ, por, në realitet, mund të jetë shumë pozitiv nëse njerëzve u jepet mundësia të mendojnë pa shpërqendrime,” shpjegon Timothy Hill, nga Universiteti Britanik i Bath, një nga autorët e studimit.
“Problemi që kemi vërejtur është se mediat sociale mund të lehtësojnë mërzinë sipërfaqësore, por shpërqendrimi thith kohën dhe energjinë dhe mund t’i pengojë njerëzit të përparojnë drejt një gjendjeje mërzie të thellë, në të cilën ata mund të zbulojnë pasione të reja”, shton Hill./abcnews.al