Rritja ekonomike e Shqipërisë mbetet e “vakët”

schedule19:24 - 9 Prill, 2021

schedule 19:24 - 9 Prill, 2021

Nga Erblina Mile

Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për ecurinë ekonomike gjatë këtij viti mbeten  të zymta. Në vlerësimin  e prillit ky institucion ka ulur pritshmëritë për rritjen ekonomike në Shqipërisë nga 6.1% në 5 %.Sipas ekspertit Eduard Gjokutaj  kjo është ndikuar nga disa faktorë siç janë kreditimi, konsumi apo të ardhurat në buxhet.

“Efektet e pandemisë dhe mos aktivizimit të ekonomisë evropiane. Nga ana tjetër problemet e brendshme të ekonomisë të cilat ende nuk janë vënë në funksion sic janë kreditimi i ekonomisë, rritja e konsumit apo mbledhja e të ardhurave,” thotë ai.

Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në 25 prill duket se po jep impakt pozitiv në ekonomi. Gjokutaj sqaron se nga të dhënat e subjekteve konstatohet se ka pasur  një përmirësim të nivelit të konsumit.

“Përgjithësisht periudhat zgjedhore e shtojnë konsumin. Edhe këtë vit rezulton se ka një rritje të konsumit, por kjo është e pandjeshme duke e mbajtur në nivel të përgjithshëm,” thekson ai.

Turizmi solli në vend 1.1 miliard euro më pak gjatë 2020. Por mesa duket edhe për këtë vit ai do të jetë vendimtar për ecurinë e ekonomisë në vend.

Parashikimet e institucionit financiar ndërkombëtar  janë pak më të ulëta me atë të vetë qeverisë e cila pret që ekonomia të rritet me 5.5%-6% për  këtë vit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!