Në kuadër të rritjes së numrit të rasteve të reja me Covid në Malin e Zi, autoritetet shëndetësore kanë vendosur masa të reja shtesë.
Mediat vendase bëjnë me dije se është vendosur që të ndalohen festimet Vitit të Ri në natyrë, dasmat në ambiente të hapura dhe të mbyllura, si dhe puna e lokaleve të natës.
Ministrja e Shëndetësisë, Jelena Borovinic Bojovic tha të premten se beson se vendimi për ndalimin e pritjeve në ambient të hapur do të jetë përfundimtar, pasi siç tha ajo, është e vështirë të përmirësohet situata në afat të shkurtër.
Masat aktuale në Mal të Zi janë:
- Ndalohet organizimi i festimeve të Vitit të Ri në ambient të hapur (koncerte, tubime masive, etj.)
- Ndalohet organizimi i dasmave në ambient të hapur dhe të mbyllur
- Puna e klubeve të natës është e ndaluar
- Orari i punës i objekteve hotelierike është i kufizuar deri në mesnatë
- Ndalohet organizimi i ekskursioneve, festimeve private dhe ditëlindjeve.
- Qëndrimi në shtëpi dhe apartamente u rekomandohet vetëm anëtarëve të së njëjtës familje
Ndërkohë, Qeveria po shqyrton ende mundësinë e vendosjes së detyrimit për të patur një certifikatë Dixhitale Kombëtare për COVID për të gjithë administratën publike – shëndetësi, arsim, administratë policore, ushtri – që nga 1 dhjetori.
Gjithashtu, nga 1 dhjetori, nëse miratohen këto masa, certifikata Dixhitale Kombëtare për COVID do të jetë e nevojshme për hyrje në transportin publik, qendrat tregtare, palestrat, ambientet e biznesit dhe objektet afariste në të cilat aktivitetin e kryejnë më shumë se tre kompani, pra sipërmarrës dhe objektet sipërfaqe mbi një mijë metra katrorë në të cilat kryhet shitja me pakicë e mallrave joushqimore./abcnews.al

