Rritja e pagave për zyrtarët e lartë, eksperti Xhepa: E pamoralshme, mungojnë edhe financat

schedule14:18 - 26 Maj, 2023

schedule 14:18 - 26 Maj, 2023

Eksperti për çështjet ekonomike, Selami Xhepa e sheh si të pamoralshme rritjen e pagave për zyrtarët e lartë, ku përfshihen deputetët, ministrat, kryeministri dhe presidenti.

Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Xhepa u shpreh se për rritjen e pagave duhen edhe 400 milionë euro, një shifër për të cilën, sipas tij, ende nuk është thënë se si do të sigurohet në buxhetin e shtetit.

“I gjithë diskutimi është vendosur për vetëm 10% të punësuarve që janë në administratën publike dhe funksionarët e lartë. Kjo, mendoj se e bën situatën krejtësisht të pamoralshme. Ky është një shqetësim i madh, i një situate, që siç thotë edhe kryeministri, e një krize të madhe, duhet ta mbajmë të gjithë, por në fakt, nuk po e mbajmë të gjithë. Kategoritë që po përfitojnë, janë ata të të ardhurave të larta, ndërkohë që pensionet i ideksojnë me 3 dhe 6%, ndërsa pagat e larta i dyfishojnë. Kjo ka një mungesë të theksuar moraliteti dhe sinqerisht, nuk e kuptoj se si deputetët do të kenë fytyrë dhe kurajo të shkojnë para elektoratit dhe të takojnë këto grupe shoqërore.

Nga ana tjetër, i mungojnë financat. Dëgjova minsitren që tha se financimi është i siguruar, por nuk tha nga është i siguruar. Flasim për një kosto financiare që është gati 400 milionë euro. Aktualisht, buxheti shpenzon 800 milionë euro për pagat dhe sigurimet shoqërore. Nga do dalin edhe 400 milionë euro të tjera, sepse kjo nuk u tha”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!