Rritja e interesit forcon lekun ndaj monedhave të huaja, Duro: Bordet e çmimeve jo efektive

schedule15:35 - 26 Mars, 2022

schedule 15:35 - 26 Mars, 2022

Nga Erblina Mile

Rritja e normës së interesit nga 0.5 % në 1%  ka  dhënë efektet e para në treg. Leku ka nisur të forcohet kundrejt monedhave të tjera ndërkohë që euro po këmbehet me 122.2 lekë një nga nivelet më të ulëta që prej fillimit të këtij muaji.

Ekspertët theksojnë se e rëndësishme në reflektimin e politikave të Bankës së Shqipërisë është besueshmëria që ky institucion do të krijojë. Enton Duro thotë se tashmë mbetet për të parë efektin e vendimeve, në këstet e kredive dhe të depozitave.

“Momenti i parë është rritja e normës bazë të interesit. Vura re ndryshimet e menjëhershme të kursit të këmbimit, duke vlerësuar lekun në raport me valutën”.

Për të mbajtur në kontroll çmimet  që ndikojnë direkt në inflacion qeveria ka ngritur dy borde por ekspertët kanë një sërë pikëpyetjesh për efektivitetin e tyre në një ekonomi tregu. Eksperti Enton Duro thekson se është e pamundur të monitorohen çmimet në produktet e shportës së ushqimeve.

“Ndërtimi i bordeve mund të jetë i justifikuar deri në një moment të caktuar lidhur me tregun e karburanteve.”

Banka e Shqipërisë parashikon një rritje të mëtejshme të çmimeve duke e çuar inflacionin në rreth 6 %. Kjo mund të detyrojë këtë institucion që në të ardhmen të rishikojë përsëri në rritje normën e interesit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!