Tregjet globale dhe ato vendase po përballen me një valë të rritjes së çmimeve, që erdhi si cunam në të gjithë artikujt njëkohësisht, që nga hekuri, gruri, nafta, kauçuku, energjia, vaji, kafeja, sheqeri e deri te buka.
Ndalur te kjo situatë deputeti i PD Arbi Agalliu në emisionin “Log.” në ABC tha se qeveria në projektbuxhetin e 2022 ka lënë pa fonde disa sektorë të rëndësishëm e këtu u përmendi edhe disa sektorë që ndikojnë në prodhimin e produkteve bazë, çmimet e të cilave janë rritur.
“Duhet të shohim buxhetin faktik sepse në funksion të tij ngrihet dhe projektbuxheti. Janë me minus në miliardë lekë,-9.6 miliardë lekë tatim fitimi dhe akciza… etj. Ngelemi te PPT, jemi pro PPT por kundër mënyrës si kjo qeveri e zhvillon këtë rrugëtim të saj. Duke ngritur komisionet hetimore do godasim këtë lloj marrëdhënie siç është dhe komisioni hetimor për inceneratorët. Nuk po ndalem te shpenzimet e luksit te qeverisë. Kemi ulje të fondeve për kanalizimin e ujitjes, kjo qeveri po heq dorë nga disa sektorë të rëndësishëm….Kështu ndodh kur ke menaxhues të keq dhe abuzues. Mënyra sesi vihet me këtë projektbuxhet në komision është qesharake”, tha Agalliu.
Kreu i Shoqatës së Përpunuesve Alban Zusi i zhgënjyer me ndarjen e buxhetit nga ana e qeverisë, tha se priste më shumë fonde se asnjëherë më parë për të zgjidhur ngërçet e prodhimit vendas. Nëse do kishte investime për prodhimin vendas, sipas Zusit do mund të shmangej përballja me çmimet e larta në tregjet e huaja.
“Ky duhet të ishte një moment i mirë të zhvillonim industritë prodhuese vendase, në këtë prisja që më shumë fonde dhe më shumë se zakonisht të jepeshin pikërisht për të zgjidhur ngërçet e prodhimit vendas që të fillojë të zëvendësojë importin dhe veçanërisht të lëndëve të para. Jashtë janë shtrenjtë. Pastaj mund të fillosh të bëhesh dhe eksportues. Në sektorin e bujqësisë pothuajse të gjitha zgjidhen, ne sot një ndër ngërçet që kemi është ushqimi i blegtorisë. Ne importojmë plehra organike, plehrat organike çfarë janë, mbetjet e të gjithë fermave, të industrive të fruta perimeve të cilat me pak industrializimin prodhohen dhe këtu, me pak investime fillojmë dhe i zëvendësojmë brenda vendit. Për mua, më shumë është mungesë dije dhe mungesë e mendjeve pranë kryeministrit sepse unë e kam parë qasjen e tij, qasjet pro biznesit… Paketa e re fiskale është krejt çfarë nuk pritej”, tha Zusi.