Rritja e barrës fiskale në 2018, më shumë tek qytetarët

schedule15:36 - 26 Tetor, 2017

schedule 15:36 - 26 Tetor, 2017

Vitin e ardhshëm, barra e taksave shtesë do të rëndojë më së shumti tek qytetarët. Nga 3.3 miliardë lekë që do të paguajmë më shumë, 2.4 miliardë pritet të vijnë nga pronat e banesave.

Mbi 70% e vlerës shtesë të taksave vitin e ardhshëm, do të sigurohet nga taksa e pronës. Fakti vihet në dukje nga paketa fiskale. Ministria e Financave pret të rrisë të ardhurat në buxhet në 3018-n me 3.3 miliardë lekë. Ndërsa një nga projektligjet e paketës fiskale, parashikon që vetëm nga taksa e pronës do të ketë 2.4 miliardë lekë të ardhura shtesë.
Sipas Ministrisë së Financave, gati 90% e pronave janë të regjistruara tashmë në zyrat e regjistritit të pasurisë së paluajtshme. Banesat e rivleresuara do të paguajnë sipas vlerës së fundit që kanë marrë, ndërsa të tjerat do të paguajnë në bazë të çmimit referencë që miratohet nga qeveria. Në të dy rastet pagesa vjetore pritet të jetë sa 0.05% e vlerës së pronës.
Duke pasur në fokus qytetarët në mbledhjen e kësaj takse, pritet që vitin e ardhshëm, pjesa më e madhe e të ardhurave shtesë të paguhet pikërisht prej tyre.
Në një intervistë për ABC News, drejtori i Politikave Fiskale tek financat pranoi se taksa e pronës deri më tani është paguar kryesisht nga bizneset. Me ndryshimet e fundit ligjore, është ulur ndryshimi i theksuar i tarifës mes qytetarëve dhe sipërmarrësve. Nga një raport 1-14 aktualisht, taksa e pronës ka zbritur në raportin 1-3 mes një prone private dhe pronës për qëllime biznesi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!