Zvicra dhe Singapori kryesuan një sondazh global mbi tërheqjen, rritjen dhe ruajtjen e talenteve, duke reflektuar nivelin e lartë të burimeve që i ndihmuan ata të përballojnë pandeminë, si dhe aftësitë në teknologjitë e përparuara.
Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Suedia ishin shtetet e tjera ndër pesë vendet e para në Indeksin Global të Konkurrueshmërisë së Talenteve, e publikuar nga shkolla franceze e biznesit INSEAD dhe Instituti Portulans.
Lista e më të mirëve
Top 10 lista e 134 shteteve këtë vit, u mbizotërua nga shtetet europiane, e ndikuar shumë nga efektet e Covid-19 dhe mënyra si reaguan vendet ndaj pandemisë.
“Pavarësisht nëse i matim strategjitë e shteteve në tërheqjen e talentit, për nga pikëpamja e kufizimeve të udhëtimit apo nga rëndësia në rritje e takimeve virtuale, shtetet kanë reaguar në mënyra shumë të ndryshme, në varësi të mjedisit të tyre politik, ekonomik dhe ndonjëherë gjeografik,” shkruajnë autorët e raportit.
Rënia e Azisë
Në Azi, Hong Kongu doli nga lista e 10 qyteteve të para, për shkak të tensioneve të fundit politike dhe ndikimit të masave të ashpra për frenimin e përhapjes së Covid-19, në të gjithë rajonin. Singapori, i cili po rihap ekonominë pasi minimizoi me sukses pandeminë, ra katër vende në listë, duke u renditur i shtati.
“Trazirat e kohëve të fundit në Hong Kong, si dhe masat e rrepta të bllokimit në të gjithë Azinë, kanë penguar aftësinë e këtyre qyteteve për të tërhequr talente,” tha Bruno Lanvin, një bashkëpunëtor në INSEAD dhe bashkëautor i raportit.
Strategjitë e kujdesshme të Azisë për kontrollin e virusit mund të jenë në avantazhin e saj pasi njerëzit e shohin rajonin si një vend më të sigurt për të jetuar dhe për të punuar, tha Lanvin. Kjo do të ishte një tjetër pikë e fortë për Singaporin dhe Hong Kongun, përveç përparësive të tjera si sistemet e zhvilluara arsimore dhe teknologjia e përparuar.
“Unë ende jam i bindur se rajoni Azi-Paqësor, në vitet në vijim do të mbetet një nxitës kryesor i rritjes globale”, tha Lanvin. “Dhe personat e talentuar do të dëshirojmë të punojnë atje.”
Shqipëria dhe vendet e rajonit
Shqipëria renditet në vendin e 73, duke u përmirësuar me tre vende nga viti pandemik, 2020.
Pavarësisht kësaj vendi ynë është ndër të fundit në rajon, duke lënë pas vetëm Maqedoninë e Veriut, e cila gjendet në vendin e 79. Vendi fqinjë ka lëvizur pozitivisht me 10 vende (nga vendi i 89 në 2020).
Mali i Zi renditet në vendin e 49 (53 në 2020), ndërsa Serbia në vendin e 58 ( pa asnjë ndryshim).
Duke nisur nga indikatorët e ekzaminuar, Shqipëria paraqitet më dobët në njohuritë globale, në vendin e 103, duke u vlerësuar me vetëm14.41 pikë.
Për krijimin e mundësive është vlerësuar me 44.98 pikë, për atraktivitetin 49.58 pikë, ndërsa për aftësitë profesionale dhe teknike me 44.22 pikë. /Monitor