Sistemet shëndetësore në shumicën e qyteteve më të mëdha të Brazilit janë në prag të kolapsit për shkak të shtimit të të sëmurëve me Covid-19, paralajmëruan sot autoritetet.
Më shumë se 80% e shtretërve të njësive të kujdesit intensiv janë zënë në kryeqytetet dhe 25 prej 27 shteteve të Brazilit. Ekspertët paralajmërojnë se varianti shumë ngjitës në Brazil mund të ketë efekte të mëdha në rajon dhe më gjerë.
“Brazili është një kërcënim për njerëzimin,” tha për agjensinë e lajmeve AFP epidemiologu i Fiocruz, Jesem Orellana.
Vendi ka regjistruar më shumë se 266,000 viktima dhe 11 milion raste që nga fillimi i pandemisë. Brazili ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve në botë pas SHBA dhe numrin e tretë më të lartë të rasteve të konfirmuara.
Presidenti Jair Bolsonaro vazhdimisht ka kundërshtuar masat e karantinës dhe këshillat e ekspertëve për luftimin e koronavirusit. /abcnews.al