Inflacioni në Spanjë u rrit përsëri gjatë gushtit, duke e çuar atë mbi objektivin e eurozonës nxitur nga shtrenjtimi i çmimeve të karburanteve. Norma e inflacionit arriti në 2.6% ashtu siç edhe kishin parashikuar edhe ekonomistët, nga 2.3% që ishte në korrik.
Por, megjithatë të dhënat flasin për një rritje më të ngadaltë të çmimeve të konsumit.
Spanja ka pasur një nga normat më të ulëta të inflacionit në Eurozonë pasi arriti kulmin në 10.8% në korrik të vitit të kaluar dhe më pas vijoi trendin rënës duke iu afruar objektivit të Bankës Qendrore Europiane prej 2%.
Ekonomistët presin që inflacioni në Spanjë të variojë mesatarisht në 2.3% vitin e ardhshëm ndërsa në vitin 2025 të bjerë edhe më tej në 2%. Në pjesën e mbetur të vitit sipas tyre ai mund të rritet përsëri duke mos përjashtuar edhe një normë prej 3% për shkak edhe të luhatjeve dhe pasigurive në tregjet globale.
Eurozona vijon të përballet me çmime të larta dhe bankat qendrore po vijojnë politikat shtrënguese me rritje të normave të interesit në përpjekje për të frenuar inflacionin, ndërsa nga ana tjetër kanë bërë më të shtrenjtë huamarrjen për bizneset dhe individët.
Megjithatë, ndryshe nga shumë ekonomi të bllokut që po hasin vështirësi duke qëndruar në stanjacion si ajo e Gjermanisë apo duke u tkurrur si ekonomia italiane, ekonomia spanjolle u rrit lehtë gjatë tremujorit të dytë me 0.4%./abcnews.al