Rritet fatura e karburanteve, konçesionari i pompave të naftës dhe gazit kontrolle pa limit

schedule18:37 - 6 Tetor, 2020

schedule 18:37 - 6 Tetor, 2020

Nga Erblina Mile

Pak kohë pas kalimit tek privati të shërbimit të kontrollit të pompave të gazit dhe naftës në pikat e karburanteve, qeveria nuk është mjaftuar me favore ndaj konçesionarit duke rënduar edhe më shumë xhepat e qytetarëve. Në projektligjin e ri për “metrologjinë’, i cili po diskutohet në komisionet parlamentare, është parashikuar zgjerimi i veprimtarisë së kompanisë konçesionare, duke i dhënë mundësinë që të ushtrojë më shumë kontrolle të pompave të gazit dhe naftës.

Ndërsa aktualisht kompania kryen sipas ligjit, dy kontrolle për çdo pompë në stacionet e shitjes, propozimi i ri duke mos përcaktuar numrin, i jep mundësinë konçesionarit të realizojë sa më shumë kontrolle .

Por çfarë do të thotë kjo? Për çdo verifikim në pompë privati i tarifon pikës së shitjes 7 mijë lekë. Dhe duke mos pasur një tavan të numrit të kontrolleve, konçesionari mund të shkojë sa herë ta shoh të arsyeshme ta kryej këtë shërbim. Në këtë mënyrë njësitë tregtare të karburanteve do ta paguajnë konçesionarin çdo herë me çmimin e përcaktuar. Kjo do të thotë miliona euro fitime për kompaninë. Përveç kostos shtesë për stacionet e karburanteve projektligji është një faturë e rëndë për qytetarët.

Shqipëria rezulton një ndër vendet me çmimet më të larta të karburanteve në rajon dhe kjo për shkak të taksave që aplikohen në një litër naftë. Sipas përllogaritjeve 110 deri në 120 lekë në një litër naftë shqiptarët paguajnë vetëm taksa dhe ky konçesion e shton edhe më shumë koston si për qytetarët edhe për bizneset./mv. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!