Rritet besimi në ekonomi/ BSH: Qytetarët dhe bizneset e shërbimit më optimiste

schedule14:04 - 2 Prill, 2024

schedule 14:04 - 2 Prill, 2024

SHQIPËRI- Afrimi i sezonit turistik dhe rritja e numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë në pranverë ka ndikuar në rritjen e besimit në ekonomi. Banka e Shqipërisë ka publikuar vrojtimin e besimit në ekonomi i cili ka pësuar një rritje me 2.5 pikë gjatë muajit mars.

Shërbimet janë sektori i cili ka vlerësimet dhe pritshmëritë më të larta për situatën financiare në muajt në vijim. Bizneset që operojnë në këtë sektor që lidhet direkt me turizmin presin një ecuri të mirë të aktivitetit  e madje edhe rritje të numrit të punësuarve.

Pas shërbimeve renditet sektori i tregtisë. Sipërmarrjet që zhvillojnë aktivitet në tregti kanë vlerësim më optimist për ecurinë aktuale të biznesit të tyre që lidhet me shitjet Vlen të theksohet se edhe  bizneset që operojnë në industri kanë  pritshmëri më të mira për ecurinë e aktivitetit të tyre.

Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 3.6 pikë përqindje në muajin mars që u ndikua nga  vlerësimet e  rritura të  bizneseve për prodhimin industrial aktual si dhe pritje më optimiste për porositë nga eksportet në  të  ardhmen. I vetmi sektor që ka pësuar rënie rezulton se është ndërtimi dhe kjo lidhet me aktivitetin ndërtues.

Edhe familjet shqiptare janë më optimiste për gjendjen ekonomike dhe financiare.

Sipas Bankës së Shqipërisë konsumatorët vlerësuan në përmirësim situatën e tyre financiare të vendit në të ardhmen si dhe blerjet në shuma të mëdha. Pritjet e  konsumatorëve për papunësinë në  të  ardhmen  janë ulur në  muajin  mars./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!