Besimi i bizneseve dhe qytetarëve në ekonomi është rritur. Referuar vrojtimit të fundit të Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike që tregon për pritshmëritë e qytetarëve për të konsumuar dhe bizneseve për të investuar u rrit lehtë me 0.7% përgjatë korrikut, duke qëndruar rreth 11 pikë mbi mesataren historike.
Ecuria pozitive e këtij treguesi u përcaktua nga përmirësimi i besimit të bizneseve në sektorët e ndërtimit, shërbimeve dhe industrisë.
Bizneset që operojnë në këto sektorë vlerësojnë pozitivisht situatën aktuale por edhe pritshmëritë për të ardhmen dhe parashikojnë që çmimet të mbeten të larta edhe në vijim.
Ndërkohë, sa i takon sektorit të shërbimeve, bizneset që operojnë në këtë degë të ekonomisë kanë rritur prishmëritë për kërkesën edhe në të ardhmen, nxitur edhe nga fluksi i lartë i turizmit edhe këtë vit.
Sa i takon besimit konsumator, muajin e kaluar regjistroi një rritje me 0.5% duke ndalur rënien dy mujore. Qytetarët ishin më optimist për vlerësimin aktual të ekonomisë dhe pritshmëritë për të bërë blerje të mëdha si ajo e një banese apo automjeti u rritën gjatë korrikut.
Ndërkohë sa i përket tregtisë, vrojtimi evidenton një vlerësim pesimist lidhur me ecurinë aktuale të biznesit, por parashikojnë rritje të çmimeve në periudhën në vijim./abcnews.al