Tensionet mes Ukrainës dhe Hungarisë vijojnë të jenë të larta.
Ministria e Jashtme e Ukrainës ka njoftuar këtë mëngjes se e konsideron gatishmërinë e Hungarisë për të paguar gazin rus në rubla një “akt jomiqësor”. Ukraina tha gjithashtu se qëndrimi i Hungarisë mbi akuzat për mizoritë ruse forcon ndjenjën e mosndëshkimit të Rusisë dhe inkurajon Rusinë “të kryejë mizori të reja kundër ukrainasve”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko u shpreh: “Nëse Hungaria dëshiron vërtet të ndihmojë në përfundimin e luftës, ja se si ta: ndaloni shkatërrimin e unitetit në BE, mbështesni sanksionet e reja anti-ruse, ofroni ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe mos krijoni burime shtesë financimi për makinerinë ushtarake të Rusisë. Nuk është kurrë vonë për të hyrë në anën e duhur të historisë.”
Nga ana e tyre, ministri i jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, ka konfirmuar se karburanti për termocentralet bërthamore të Hungarisë ka mbërritur nga ajri nga Rusia. Sulmi rus në Ukrainë i ka bërë të pamundura dërgesat me hekurudhë.
Ai ka ritheksuar se Hungaria nuk i mbështet propozimet për sanksione evropiane për energjinë kundër Rusisë.
Kujtojmë se tensionet mes dy vendeve kanë qenë në rritje ditët e fundit. Viktor Orbán e përshkroi presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy si një nga armiqtë që ai “e mbifuqizoi” me fitoren e tij në zgjedhjet që u mbajtën në fundjavë.
Nga ana e tij, Zelenskiy tha se Orbán ishte i frikësuar nga Moska dhe duhej të zgjidhte midis Rusisë dhe “botës tjetër”. /abcnews.al/