Delshad është bllokuar për më shumë se një javë në Shir Khan Bandar, një port në lumin që ndodhet përgjatë kufirit verilindor të Afganistanit me Taxhikistanin.
Ai është një ndër dhjetëra shoferë kamionësh nga Taxhikistani, të cilët më herët gjatë këtij muaji transportonin thëngjill drejt Afganistanit. Por, talebanët nuk i lejojnë shoferët të kthehen mbrapsht në Taxhikistan, pasi e mbyllën kufirin më 10 maj.
“Nuk mund të shkojmë askund”, deklaroi Delshat për Shërbimin e Taxhikistanit të Radios Evropa e Lirë, duke shtuar se talebanët i kishin urdhëruar burrat të mos largoheshin nga automjetet e tyre. Delshad tha se rreth 100 kamionë nga Taxhikistani ishin të bllokuar në pikën e largët kufitare.
Një tjetër ngasës kamioni, i cili foli për RFE/RL në kushte anonimiteti, tha se talebanët i lejuan disa shoferë që të kalonin kufirin pasi i sekuestruan automjetet e tyre. “Ata na thanë t’i linim automjetet tona dhe më pas na lejuan që të ktheheshim në vendin tonë”, tha ai.
Mbyllja e kufirit dhe sekuestrimi i kamionëve nga Taxhikistani është sinjali më i fundit i armiqësive në rritje mes kombit të Azisë Qendrore dhe sundimtarëve të vijës së ashpër të Afganistanit.
Taxhikistani ishte i vetmi vend fqinj që kundërshtoi publikisht rikthimin e talebanëve në pushtet në Afganistan, gushtin e kaluar, duke e quajtur grupin e militantëve një kërcënim për stabilitetin rajonal.
Ka pasur, gjithashtu, raporte të ndryshme se Dushanbe strehoi ose është në kontakt me disa nga udhëheqësit e Frontit të Rezistencës Kombëtare (NRF), një grup i rezistencës anti-talebane që përbëhet kryesisht nga taxhikë etnikë nga Afganistani. Taxhikistani i ka mohuar këto pretendime.
Pas ardhjes në pushtet të talebanëve, Taxhikistani ka kryer stërvitje ushtarake pranë kufirit prej 1300 kilometrash me Afganistanin, së bashku me trupat nga anëtarët e Organizatës së Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Rusia (CSTO).
Talebanët kanë vendosur rreth 4,000 luftëtarë përgjatë kufirit të tyre me Azinë Qendrore. Zyrtarët talebanë këmbëngulën se vendimi do të kontribuonte në stabilitetin rajonal. Por, fqinjët veriorë të Afganistanit kanë shprehur skepticizmin e tyre.
Talebanët vendosën edhe batalione të luftëtarëve vetëvrasës të njohur si “Lashkar-e Mansoori” në provincat verilindore të Afganistanit, në Badakhshan dhe Takhar, duke shtuar ankthin në Taxhikistan.
Dy provincat janë strehë e qindra militantëve nga Taxhikistani, Uzbekistani dhe vende të tjera që kanë luftuar përkrah talebanëve për shumë vite.
Për vite të tëra, talebanët kanë strehuar dhe madje kanë përfshirë në radhët e tyre anëtarë të Jammat Ansarullah, një grup militant islamik nga Taxhikistani që kundërshton Dushanbe-n. Disa javë pas marrjes së pushtetit, talebanët dislokuan luftëtarët e grupit islamik Ansarullah në kufirin me Taxhikistanin.
Disa militantë taxhikë që banojnë në Afganistan janë anëtarë të grupit ekstremist të Shtetit Islamik-Khorasan (IS-K), rivalë të talebanëve, të cilët së fundi pretenduan se kishin nisur një sulm me raketa kundër Taxhikistanit.
Në kryeqytetet e Azisë Qendrore ka pasur frikë se militantët mund të duan të depërtojnë në vendet e tyre.
Në janar, presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rahmon, i kërkoi CSTO-së të krijonte një rrip sigurie rreth Afganistanit, duke pretenduar se kishte më shumë se 40 kampe terroriste me rreth 6,000 militantë në Afganistanin verilindor. Pretendimi u hodh poshtë nga talebanët.
“Nën sundimin aktual të talebanëve në Afganistan, Taxhikistani është padyshim më i rrezikuari nga fqinjët e Azisë Qendrore”, tha Hameed Hakimi, një ekspert afgan në institutin e mendimit të Këshillit Atlantik në Uashington.
Ai tha se prania e qindra militantëve taxhikë në Afganistan e rrit kërcënimin për qytetin Dushanbe.
“Paaftësia e talebanëve për të qeverisur ose për të siguruar kufijtë me fqinjët e Afganistanit paraqet një sfidë specifike për Qeverinë e Taxhikistanit, e cila ka pasur bashkëpunim të gjerë me forcat kufitare afgane gjatë 20 vjetëve të fundit”, deklaroi Hakimi.
Qeveria e Taxhikistanit nuk ka vendosur marrëdhënie diplomatike me qeverinë e udhëhequr nga talebanët, e cila nuk njihet nga asnjë shtet. Rahmon u ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur talebanëve që të formojnë një qeveri gjithëpërfshirëse në Kabul pjesë e së cilës do të ishin edhe taxhikët etnikë.
Talebanët janë përpjekur ta portretizojnë veten si një grup që përfaqëson të gjithë afganët. Por, qeveria e tyre dominohet nga klerikët e grupit etnik Pashtun.
Udhëheqësit e lartë talebanë nuk e kanë sulmuar publikisht Qeverinë e Taxhikistanit. Por, Gulbudin Hekmatyar, një ish-komandant lufte, dashamirës ndaj talebanëve, kohët e fundit sulmoi Dushanben, pasi sipas tij, strehojnë liderë të rezistencës anti-talebane.
“Kur i strehoni kundërshtarët e armatosur të një vendi fqinj, kjo mund të nënkuptojë vetëm se ju keni shpallur luftë ndaj tyre“, deklaroi ai gjatë një tubimi të mbajtur këtë javë.
Hekmatyar paralajmëroi se talebanët mund të hakmerren duke strehuar kundërshtarët e armatosur të qytetit Dushanbe.
“Nëse kjo ndodh, çfarë fati do të ketë një Taxhikistan i dobët, i vogël dhe i ndarë?”, pyet ai.
Zabihullah Mujahid, një zëdhënës i talebanëve, tha se grupi do të normalizojë marrëdhëniet dhe do të hapë kufirin me Taxhikistanin pasi palët të kenë arritur një mirëkuptim formal mbi çështjet dypalëshe.
“Ne e kemi bërë të qartë këtë [kërkesë] në takimet tona dypalëshe”, tha i për shërbimin e RFE/RL, Radio Afganistani i Lirë.
Hakimi tha se Rusia, një aleate e ngushtë e kryeqytetit Dushanbe, po përpiqet t’i pajtojë palët. Javën e kaluar, Rahmon tha se ai diskutoi me presidentin rus, Vladimir Putin, mbi “situatën shqetësuese”përgjatë kufirit të Taxhikistanit me Afganistanin.
“Talebanët nuk mund të përballojnë kostot e çdo përleshjeje ndërkufitare që detyron ndërhyrjen e Moskës në mbështetje të Taxhikistanit“, tha Hakimi. /REL