Rrit krimba mëndafshi/ Artizania shkodrane: Kam punësuar 5 gra, disa punojnë nga shtëpia

schedule20:15 - 27 Maj, 2023

schedule 20:15 - 27 Maj, 2023

Ajo mbledh çdo mëngjes gjethet e manave, për të ushqyer krimbat e mëndafshit. Këtë punë e bënë katër herë në ditë për rreth 1 muaj në këtë periudhë të vitit. Meliha Zyberaj nga Vau i Dejës ka zgjedhur që të ruaj traditën e punimeve me dorë e kryesisht nga mëndafshi.

Procesi i rritjes nuk është i lehtë. Deri në marrjen e mëndafshit kërkohet durim e shumë përkushtim. Krimbi i mëndafshit vetësakrifikohet dhe për artizanët është shumë i çmuar. I rëndësishem është ruajtja dhe konservimi i farës së krimbit të mëndafshit për vitin e ardhshëm.

Melihaja ka një punishte të vogël në qendër të Vaut të Dejës dhe për t`ja dalë sipërmarrjes ka punësuar edhe pesë gra. Ka raste që ngarkesën e shpërndan edhe tek zonjat e tjera të zonës të cilat punojnë nga shtëpia. Tregon se këtë punë e ka trashëguar nga e ëma të cilën e kujton si një mësuese të vështirë.

Për Melihan është një profesion i bukur. Me të ka siguruar të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur familjen. Thotë se kërkesat për punimet e dorës janë në rritje. Kërkohen modele të ndryshme por artizanët i qëndrojnë besnik atyre tradicionale.

Në punishten e saj nuk humbet asgjë, çdo gjë përdoret. Meliha Zyberaj është e vetmja në zonën e Shkodrës që kultivon krimbin e mëndafshit, puna e saj artizanale në tekstil e sidomos në mëndafsh ka bërë që shumë shkolla profesionale të Shkodrës dhe të Lezhës të bashkëpunojnë me Artizanët e Vau Dejës.

Ruajtja dhe trashëgimi i punës me tezgjah, kultivimi i krimbit të mëndafshit janë motivim i madh për të dhe shumë gra tjera të zonës së Vau Dejës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!